Veliaj: Më e keqja për Tiranën ka kaluar, problem uji i pijshëm

01/12/2017 12:08

Për kryebashkiakun Erion Veliaj për Tiranën më e keqja ka kaluar, por në orët në vazhdim mbetet problem furnizimi me ujë të pijshëm.

“Disa nga nënstacionet që pompojnë ujë, përveç stacioneve elektrike, janë jashtë funksionit, sidomos ai i Laknasit, Bërxullit, në zonën e Kasharit. Kjo do të thotë që deri sa të stabilizohet ai nënstacion, që të furnizojë depot me energji, që pastaj mund të pompojnë ujin, do të kemi problematike në rrjetin e ujit të pijshëm. U kërkoj të gjithë qytetarëve që ta përdorin me kursim ujin e pijshëm, duke qenë se jemi në një situatë problematike në orët e ardhshme”, bëri të ditur Veliaj.

Ai ka inspektuar zonat periferike të kryeqytetit ku është paraqitur situata më problematike. Veliaj ka ndjekur nga afër punën që po bëjnë ndërmarrjet e Bashkisë së Tiranës në Njësinë 6, në mënyrë të veçantë në Rr. “Shaban Bardhoshi” dhe në zonën e ish-Pularisë, ku situata për shkak edhe të ndërtimeve pa kriter është shfaqur problematike.

“Fatmirësisht Tirana nuk ka patur problematikat e viteve të kaluara; sigurisht, ky është një shpërblim për punën që u bë gjatë verës me investime. Lumi i Tiranës ka qenë pika më nevralgjike dhe më problematike, por jo vetëm që nuk doli nga shtrati, por i gjithë debati pse duhej bërë ky investim në Lumin e Tiranës dhe pse duheshin zhvendosur disa nga komunitetet nga Bregu i Lumit, besoj e mori përgjigjen. Arsyeja pse duheshin zhvendosur ato komunitete është që lumi të kufizohej, të mos përmbyste gjithë Tiranën, ndaj besoj e kaluam me sukses atë provë”, tha Veliaj.

Ai theksoi se e njëjta situatë është paraqitur edhe në Lumin e Lanës, ku pastrimi i kryer gjatë verës bëri që edhe aty të shmangen përmbytjet. “E njëjta gjë vlen edhe për Lanën. Punuam verës për të pastruar Lanën, që kur të vinte vjeshta dhe dimri të na gjente me një Lanë që për herë të parë në këtë nivel reshjesh nuk doli nga shtrati. Kështu që, do të vazhdojmë periodikisht me pastrimin e Lanës, le të themi që janë tre damarët kryesorë të ujit në Tiranë, Lumi i Tiranës, Erzeni dhe Lana që shkon mes përmes Tiranës”, shtoi Veliaj.

Sa i përket zonave rurale ai evidentoi situatën që paraqitet në disa zona të Pezës dhe Zall-Bastarit. “Kemi disa problematika në disa fshatra, sidomos në zonën e Pezës, disa ura që lidhin kodrat prej shtufi kanë pasur shembje. Kemi vendosur sinjalistikë, u kërkojmë banorëve të shmangin udhëtimet në këto zona rurale dhe në disa fshatra të thella të Zall-Bastarit”, tha Veliaj.

Pavarësisht se situata në shumicën e territorit të Tiranës paraqitet e stabilizuar, ai theksoi se ndërmarrjet e Bashkisë së Tiranës me gjithë kapacitetet e tyre njerëzore, ku deri tani janë angazhuar 1200 punonjës dhe mjete do të jenë në terren për të monitoruar dhe ndërhyrë në zgjidhje e çdo problemi ekzistues apo që mund të shfaqet në orët në vijim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA