Mjeshtri i drurit në Drilon, artizani nga Elbasani që u ofron pushuesve një copëz tradite shqiptare Fundjava e parë e gushtit ka sjellë temperatura të larta dhe një fluks të shtuar automjetesh në akset që të çojnë drejt plazheve të Adriatikut. Që në orët e para të mëngjesit, shumë familje dhe pushues vendas e të huaj i janë drejtuar bregdetit për të shijuar detin dhe dobitë e tij.
Në plazhin e Durrësit, nën zë operatorët e subjekteve private vazhdojnë të ankohen për çadrat bosh dhe turistët e huaj që preferojnë hapësirat publike. Ndërkaq, të ardhur nga vende të ndryshme të botës, turistët e huaj vlerësojnë ujërat e ngrohta, mikpritjen dhe çmimet.
“Jemi nga Estonia. Oh, është vërtet bukur! Na pëlqen… deti është aq i ngrohtë dhe atmosfera është e mirë”, tha pushuesja.
“Këtë vit te ne vera ka qenë mjaft e freskët, kështu që është vërtet bukur të shijosh verën e vërtetë dhe ngrohtësinë”, tha turistja.
“Jemi nga Gjermania, por me origjinë kurde. Do të qëndrojmë 9 ditë. Është bukur këtu. Shumë nxehtë dhe më pëlqen. Ushqimi këtu është i lirë dhe shumë i mirë”, tha turisti.
“Jemi nga Shkupi, Maqedonia e Veriut. Sapo arritëm dhe po përpiqemi të gjejmë një vend. Shumë nxehtë. Na pëlqen shumë këtu, edhe pse është hera jonë e parë në Durrës. Kemi qenë 5 vjet më parë në Ksamil dhe na pëlqen bregdeti shqiptar”, tha turistja.
Edhe pushuesit nga diaspora shqiptare vijojnë të mbeten pushues besnikë në Durrës. Ata kthehen çdo verë, duke e konsideruar bregdetin shqiptar si destinacionin e tyre të preferuar.
“Shumë mirë, është vend turistik, vijnë edhe turistë të huaj, është me të gjitha. Shumë mirë, mua më pëlqen”, tha pushuesi.
Gazetarja: Nga jeni?
Pushuesit: Nga Kosova, Gjakova. Jetoj në Zvicër. Gjithmonë vijmë në Durrës. Është vendi ynë, vendi i shqiptarëve. Më mirë t’i lëmë lekët në vendin tonë sesa t’ia çojmë dikujt tjetër.
“Jam nga Durrësi dhe rri në Itali. Kam ardhur me pushime. Sot është dita e parë. Ka 10 vite që bëj plazhin këtu në Durrës. Ka pastërti… ndihem si në shtëpinë time. Kështu që është kënaqësi”, tha pushuesi.
Me temperaturat që pritet të mbeten të larta edhe gjatë ditëve në vijim, operatorët turistikë presin një fluks tjetër pushuesish.
Sot, edhe në portin e Durrësit pritet të mbërrijnë deri në mbrëmje me tragete rreth 8 mijë pasagjerë dhe 2200 mjete.
Top Channel