Mjeshtri i drurit në Drilon, artizani nga Elbasani që u ofron pushuesve një copëz tradite shqiptare

02/08/2026 12:28

Haki Xhaja është një nga të paktët mjeshtra të mbetur në Elbasan që mban gjallë artin e vjetër të gdhendjes së drurit.

Stina e verës e gjen larg punishtes, pranë njerëzve. Në rrugicat e Drilonit e në pika të tjera turistike, Hakiu u ofron pushuesve jo thjesht punime druri, por një copëz tradite dhe mjeshtërie shqiptare.

Që në moshën 13-vjeçare, kur prekja e parë me drurin i ndezi pasionin e një jete, ai e shndërroi këtë zanat jo vetëm në profesion, por në mënyrën e tij të jetesës.

Sot, ndonëse ka mbushur moshën e pensionit, duart e tij nuk pushojnë. Me të njëjtin përkushtim si ditën e parë, ai punon plot 8 orë në ditë në fshatin e tij të lindjes, Mlizë, e më pas udhëton drejt qyteteve të ndryshme.  Nga duart e tij të arta dalin lugë, garuzhde, pirun e enë të ndryshme kuzhine sektori i tij i preferuar ku druri merr formë e shpirt.

I vendosur të punojë derisa të ketë forcë, ai e quan profesionin e tij një dashuri të pashuar. Sepse edhe pse rruga e emigracionit e shkëputi për pak kohë nga kjo punë, thirrja e drurit ishte më e fortë, duke e kthyer sërish te zanati i vetëm që i jep shpirt çdo dite të tij.

Top Channel