Futbolli “humb” një mjeshtër. “Arkitekti” tërhiqet përfundimisht

06/11/2017 12:17

Në 2001 u largua nga Interi si një lojtar “pavlerë” për zikaltërit, një vendim që me siguri Moratti & Co janë stërpenduar disa vite më vonë.

Ky ndoshta ishte episodi që vendosi karrierën e një prej “dirigjentëve” më të mëdhenj në mesfushën e futbollit. Andrea Pirlo kaloi tek Milani dhe “profesori” Ancelotti shpejt u besoi këmbëve të tij organizimin e lojës.

Kaq mjaftoi dhe ai me topin bëri mrekulli, dy tituj kampionë dhe dy Champions League me “kuqezinjtë”, si dhe një Kupë Bote me Italinë e tij, të gjitha brenda një dekade.

Në 2011, gabimin e Interit e përsëriti Milani, që me Allegrin në atë kohë besonin se vitet kishin bërë të veten dhe Andrea nuk u duhej më në mesfushë. Nga kjo përfitoi Juventusi dhe Pirlo u provoi që në sezonin e parë drejtuesve të Milanit se gabuan.

Katër tituj kampionë radhazi me “Bardhezinjtë” ishte prova e kësaj, ndërsa pengu i madh mbeti finalja e 2015 kundër Barcelonës, e humbur 1-3. Edhe për një 36-vjeçar si Pirlo, ritmi i Serisë A dhe futbollit europian ishte një peshë e rëndë në atë kohë, ndaj vendosi të kalojë Atlantikun, për t’iu bashkuar New York City FC në MLS.

Kjo transfertë ishte një gjysmë lamtumirë, pasi e largoi nga prozhektorët e mëdhenj të futbollit, ndërsa pas dy sezoneve mbërrin lamtumira e plotë. 5 minutat që luajti në sfidën Play-off të Major League Soccer mes New York City-it dhe Columbus Crew ishin të fundit për Andrea Pirlon në karrierën e tij si futbollist.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA