Konflikti Holandë-Turqi, Erdogan kujton Srebrenicën

14/03/2017 00:00

Recep Tayyip Erdogan e ngre edhe më shumë tonin në sherrin me Holandën. “I njohim holandezët që nga koha e masakrës së Srebrenicës”, deklaroi kreu i shtetit turk.

“E dimë që nga koha e ekzekutimit të 8 boshnjakëve, se çfarë karakteri të kalbur kanë këta njerëz. Holanda është përgjegjëse për masakrën më të rëndë, që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore”.

Me këtë pohim, Erdogan iu referua bataljonit holandez të “helmetave blu”, i cili nuk e ndaloi vrasjen e mijëra djemve dhe burrave myslimanë nga forcat serbo-boshnjake në Srebrenicën e vitit 1995.

Më herët, Ankaraja hodhi poshtë thirrjet e zyrtarëve të lartë të BE-së, Federica Mogherini dhe Johannes Hahn, për të treguar vetëpërmbajtje.

Pikërisht nën hijen e këtij sherri, të mërkurën në Holandë zhvillohen zgjedhjet parlamentare. Nga grindja me turqit po përfiton si populisti Geert Wilders, ashtu dhe kryeministri Mark Rutte, të cilit ky konflikt i erdhi si dhuratë zgjedhore pak përpara votimit, duke i krijuar mundësinë e shpërfaqjes si udhëheqës i fortë e i palëkundur.

Wildersi shfaqet i bindur në fitore.

“Njerëzit duan ndryshim dhe janë njerëzit ata që duhet të votojnë. Nëse do të bëheshim ne partia më e madhe, e këtë do ta shohim në ditët në vijim, partitë e tjera do ta kenë më të vështirë të bëjnë atë që bëjnë tani”, tha Geert Wilders.

Retorika antiislamike dhe euroskeptike e Wildersit ka qenë muzikë për veshët e shumë holandezëve, të shqetësuar nga kriza e emigrantëve, kërcënimi terrorist në Europë dhe telashet e vazhdueshme të Eurozonës.

Top Channel