Përplasja mes biznesmenëve për pronën në Palasë, Çakuli në ‘Top Story’: VKM-ja për ta kthyer në ullishte pronën, një ‘deus ex machina’ si në tragjeditë greke

07/09/2026 21:47

Zv/Drejtori Politik i Top Channel, Filip Çakuli, ngriti pikëpyetje mbi vendimin për shpronësimin dhe statusin e pronës në Palasë, duke e cilësuar situatën si një histori të ndërlikuar nga vendime dhe pretendime të ndryshme pronësie.

“Çfarë do të shpronësohet? Nëse është shtetërore, çfarë do të shpronësojë?”, u shpreh Çakuli në “Top Story”.

Sipas tij, brenda sipërfaqes së përfshirë në konflikt mund të ketë edhe pjesë toke të blera, çka e bën edhe më të ndërlikuar panoramën juridike të pronës.

“Mund të ketë p.sh 20 mijë metra katrorë që i ka blere biznesmeni Muça i Delt-ës”, tha Çakuli.

Por pjesën më të fortë të komentit të tij, Çakuli ia kushtoi zgjidhjes së gjetur përmes ullishtes, duke përdorur një krahasim me tragjeditë e lashta greke.

“Zgjidhja  që ta bësh ullishte është si në tragjeditë greke: kur ngatërrohej kaq shumë situata, vinte ‘deus ex machina’. Kaq shumë VKM janë ngatërruar, sa ullishtja duket si ‘deus ex machina’”, ironizoi Çakuli.

Top Channel