Arabia Saudite ka reaguar ashpër pas valës së sulmeve të Huthive, të cilat gjatë natës plagosën më shumë se 70 persona dhe goditën disa qytete në jug të mbretërisë.
Ministria e Jashtme saudite i ka dënuar sulmet me “ashpërsinë më të madhe”, duke deklaruar se Riadi nuk do të tolerojë më asnjë agresion që synon territorin dhe asetet e tij. Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, ministria akuzoi rebelët Huthi për ndjekjen e vazhdueshme të një “qasjeje armiqësore dhe sjelljeje kriminale”, që sipas saj kërcënon sigurinë kombëtare dhe rajonale.
Rijadi i akuzon gjithashtu Huthitë se kanë refuzuar vazhdimisht përpjekjet për vendosjen e paqes.
Ministria e Jashtme saudite theksoi se mbretëria e konsideron të drejtë të marrë të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e territorit dhe sovranitetit të saj. “Mbretëria pohon të drejtën e saj legjitime për të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur sovranitetin e saj, për të ruajtur asetet e saj kombëtare dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe banorëve të saj”, thuhet në deklaratë.
Rijadi paralajmëroi gjithashtu për “pasoja” në rast se sulmet ndaj civilëve dhe territorit saudit do të vazhdojnë. “Mbretëria nuk do të tolerojë asnjë agresion që synon territorin dhe asetet e saj”, theksoi ministria, duke iu referuar rregullave të së drejtës ndërkombëtare.
Megjithatë, pavarësisht tonit të ashpër, Arabia Saudite bëri thirrje për ndalimin e menjëhershëm të të gjitha formave të përshkallëzimit.
Reagimi i Riadit vjen pas një vale sulmesh me raketa dhe dronë nga rebelët Huthi, të mbështetur nga Irani. Sipas zëdhënësit të koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite, gjeneralmajorit Turki Al-Maliki, të paktën 73 persona, përfshirë gra dhe fëmijë, u plagosën.
Huthitë shënjestruan, sipas autoriteteve saudite, zona civile dhe ekonomike në Abha, Khamis Mushait, Jazan dhe Najran. Sulmet shkaktuan gjithashtu zjarre në disa objekte në rajonin jugor të Arabisë Saudite, ndërsa disa operacione energjetike u ndërprenë përkohësisht.
Sulmet shënojnë një përshkallëzim të rëndësishëm mes Arabisë Saudite dhe Huthive, pas një periudhe relative qetësie të krijuar nga armëpushimi i vitit 2022. Që prej korrikut, tensionet janë rritur sërish, me sulme me raketa dhe dronë ndaj objektivave saudite, përfshirë infrastrukturën energjetike dhe anijet që përdorin Detin e Kuq.
Huthitë kanë deklaruar gjithashtu një bllokadë ndaj anijeve saudite në Detin e Kuq dhe kanë kërcënuar se do të intensifikojnë veprimet e tyre. Në të njëjtën kohë, luftime të reja janë raportuar edhe në terren në Jemen mes Huthive dhe forcave të mbështetura nga Arabia Saudite.
Zhvillimet e fundit kanë rritur frikën se konflikti mund të zgjerohet më tej, duke kërcënuar stabilitetin e rajonit dhe infrastrukturën strategjike energjetike të Arabisë Saudite.
Top Channel