Dyshohej se do shpërthente veten, vritet nga policia

14/03/2017 00:00

Pamjet e rënda të një operacioni policie në Kaliforni të SHBA-ve që nuk ka shkuar ashtu siç ishte parashikuar kanë bërë xhiron e botës nëpër rrjetet sociale. Operacion që ka pasur një fund tragjik për babain e një 6-vjeçari, i cili u qëllua për vdekje nga policia.

Nga sa raportojnë mediat amerikane, 33-vjeçari Michael Anthony Perez, dyshohej se do të shpërthente veten brenda makinës së tij. Dyshimet janë shfaqur kur ai është parë me një çakmak në dorë dhe një bombol gazi.

33-vjeçari nuk i është bindur urdhrit të policisë për të dalë nga makina dhe për arsye sigurie forcat e rendit kanë përdorur ujë me presion për ta nxjerrë nga makina, por edhe që të mos kishte asnjë mundësi të ndizte bombolën.

Por pasi ka dalë nga xhami i makinës, 33-vjeçari, i cili dyshohet se kishte një thikë në dorë, është konfrontuar me një nga efektivët, kolegët e këtij të fundit kanë qëlluar dy herë ndaj tij.

Raportohet se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës, ndërsa viktima ndërroi jetë të nesërmen në spital, pak orë më pas ai është identifikuar nga motra e tij.

Top Channel