Athletic Bilbao nderoi legjendën italiane të futbollit, Paolo Maldinin. Në një ceremoni të zhvilluar në “San Mames” përpara ndeshjes me Celta Vigon, ish-kapitenit të Milanit iu dha çmimi “One Man Club 2016”. Këtë çmim, Athletic Bilbao e jep çdo vit për futbollistët që kanë luajtur gjatë gjithë karrierës së tyre me një skuadër.
Maldini, në momentin që zbriti në fushën e “San Mames”-it për të marrë këtë çmim, ishte i shoqëruar nga legjenda baske Iribar, me ish-mbrojtësin italian që nuk i fshehu aspak lotët, i prekur nga ky nderim. Ironia qëndron se Maldini u nderua në një ditë të errët për Milanin, që po vuante shumë ndaj Frosinones, me të cilën nuk shkoi më shumë se barazimi 3-3.
Kjo ngjarje pushtoi rrjetet sociale të tifozëve milanistë, sidomos të atyre që kanë mbështetur vazhdimisht Maldinin, të cilët, në mënyra të ndryshme theksojnë se në Spanjë ai vlerësohet, ndërsa në Milano është lënë totalisht në harresë. Nuk janë të paktë ata që kërkojnë që Maldini të jetë në rolin e një drejtuesi të Milanit për t’i dhënë sadopak jetë këtij klubi.
Paolo Maldini ka fituar me Milanin 5 Liga Kampionesh, 7 tituj kampionë të Italisë, 5 Superkupa Italiane, 5 Superkupa Evropiane, 2 Kupa Interkontinentale dhe 1 Botëror për Klube.
Top Channel