Tërmet te Kosova, Rrahmani braktis Kombëtaren: Nuk kthehem sa kohë janë ata drejtues Federate
Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka zhvilluar një takim me trupën e arbitrave dhe asistentëve të Kategorisë së Parë, në prag të nisjes së sezonit të ri futbollistik.
Në prani edhe të Drejtorit të Departamentit të Arbitrimit, Bernardino González Vázquez, dhe kreut të Bashkimit të Arbitrave, Tahir Kastrati, Duka ka përcjellë mesazhe të qarta lidhur me standardet, profesionalizmin dhe zbatimin e rregulloreve të reja.
Duke e vënë theksin te roli vendimtar i “xhaketave të zeza”, numri një i futbollit shqiptar u shpreh se përgjegjësia kryesore bie mbi kryesorin e ndeshjes, pavarësisht nivelit të garës.
“Ai që komandon fushën është arbitri. Përgjegjësinë për çdo gabim e ka ai, ndërsa të gjithë të tjerët janë aksesorë për ta ndihmuar. Nuk ka rëndësi nëse arbitroni në Superiore apo në nivel amator; ndeshja është garë dhe edukim, ndaj duhet të jepni maksimumin,” – theksoi Duka.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua aplikimit të rregullave të reja në këtë kampionat, për të cilat presidenti i FSHF-së kërkoi që të mos nënvlerësohen në asnjë moment, pasi “një rregull i parespektuar është më i keq se një rregull i pavënë”. Ai bëri thirrje për frymë grupi brenda trupës së arbitrimit, duke e krahasuar atë me një skuadër futbolli, ku suksesi varet tërësisht nga mbështetja e ndërsjellë.
Në mbyllje të fjalës së tij, Duka nuk i ka kursyer as paralajmërimet për tolerancë zero ndaj shkeljeve, duke theksuar se ndëshkimet do të jenë individuale për të mbrojtur integritetin e institucionit të arbitrimit.
“Dënime publike për arsye teknike nuk do të ketë, përveç atyre disiplinore siç e parashikon rregullorja. Por pezullime afatgjata apo të përhershme, padyshim që do të ketë. Ai që gabon nuk ka pse ta bëjë të gjithë trupën të vuajë,” – përfundoi kreu i FSHF-së, duke i uruar trupës një edicion të mbarë dhe me sa më pak gabime.
Top Channel