“Kam 5 dynym, por 2 dynym e gjysmë m’i shkatërroi”.

Rako Gjini është një prej fermerëve të mbjellat e të cilit janë dëmtuar rëndë nga sëmundja e fundit e tokave të Myzeqesë. Ai nuk e fsheh dot dëshpërimin e tij.

“Rreth 70% ne jemi të falimentuar”, tregon fermeri.

Infeksioni që ka prekur serrat e Lushnjes, duke u përhapur me shpejtësi në 520 ha tokë, është fuserioza. Dëmi që ajo shkakton është i dukshëm.

“Po e mori goditjen, nuk e çon dot në treg. Nuk është i dëmshëm, por nuk e çon dot në treg. Bëhet si I thatë se nuk e ushqen bima”, tregon Gjini.

“Jep një farë qelbëzimi në qafën e rrënjës dhe pastaj thahet direkt bima”, thotë fermeri Maksim Kuqi.

Si këto bimë janë prekur rëndë 30% e sipërfaqes, me një dëm financiar prej 160 milionë lekësh.
Fermerët pretendojnë se farërat dhe produktet me të cilat ushqejnë bimët gjatë procesit të rritjes, janë të pakontrolluara.

“Kërkojmë ngritjen e një laboratori për të bërë analizat e tokës, që duhet të jetë në Lushnje. Na duhet laborator që të kontrollojë cilësinë e ushqimeve dhe pesticideve”, thekson Kuqi.

Por, specialistët e bujqësisë mendojnë ndryshe.

Agim Rrasa, drejtor i Drejtorisë Rajonale Lushnje, shprehet: “Kjo vjen si rrjedhojë e shfrytëzimit intensiv të tokës. Mbjelljet 2-3 herë e serrës brenda vitit dhe mosmarrja e masave profilaktike”.

Por, përtej përgjegjësive, sa janë shanset që ky produkt të shpëtohet?

“Pjesa e serrave të infektuara rëndë nuk mund të shpëtohet, por pjesa tjetër mund të shihet ndonjë preparat që mund të përdoret”, shpjegon Rrasa.

Top Channel