Refugjatët e ikur nga lufta e Sirisë dhe Irakut po e shmangin Kosovën në rrugëtimin e tyre drejt Perëndimit. Edhe ata pak refugjatë që përfundojnë në Kosovë, pas pak ditësh largohen drejt vendeve europiane.
Qendra për azilkërkues në fshatin Magurë të Lipjanit ka kapacitete për 100 refugjatë. Aktualisht atje ndodhen 8 refugjatë nga Siria dhe Pakistani, të cilët po marrin kujdesin e duhur nga shteti i Kosovës.
Në një klasë, refugjatët kanë mundësi të ndjekin kursin e gjuhës shqipe, ndërsa qendra po ashtu ofron ambiente të tjera rekreative për fëmijë e të rritur.
Një i ri nga Alepo është një prej refugjatëve që u ka rënë rruga nga Kosova. Ai nuk pranon të japë as emrin, por tregon historinë e mbërritjes në Magure.
“Unë jam larguar prej qytetit të Alepos, në Siri, pasi atje gjithçka është shkatërruar. Fillimisht kam udhëtuar drejt Greqisë, pastaj nga atje kam arritur këtu në Kosovë dhe jam strehuar këtu para 14 ditësh. Për momentin nuk kam ndonjë ide nëse do të rri këtu apo nga do të shkoj”, thotë refugjati.
Pavarësisht numrit të vogël të refugjatëve në Kosovë, ajo që po ia alarmon autoritetet kosovare është kriza në kufirin mes Greqisë dhe Maqedonisë. Ministria e Brendshme ka hartuar planin për pritjen e mijëra refugjatëve.
“Kemi identifikuar edhe disa objekte e lokacione të cilat mendojmë se janë të përshtatshme për akomodimin e refugjatëve. Të gjitha këto lokacione kanë kapacitete për rreth 3 mijë persona”, thotë Valon Krasniqi, drejtor i Departamentit për Shtetësinë, Azilin dhe Migracionin pranë MPB.
Gjatë vitit 2015, në Kosovë kanë kërkuar strehim 70 refugjatë, të cilët gjatë qëndrimit, përveç kujdesit për ushqim dhe integrim, marrin asistencë sociale deri në 75 euro në muaj.
Top Channel