Bisedimet për Sirinë, i dërguari i OKB: Të zhvillohen më 25 janar

10/01/2016 00:00

I dërguari i Kombeve të Bashkuara për Sirinë, Stafan de Mistura nguli këmbë, që bisedimet e Gjenevës për krizën siriane të zhvillohen më 25 janar, siç janë parashikuar.

Mediat shtetërore siriane thonë se, bisedimet do të zgjasin dy javë dhe, pas 3 javëve pushim do të rinisin. Pritet që Mistura të hartojë një listë të opozitarëve sirianë, që do të marrin pjesë në bisedime, listë që do të bazohet në një të mëparshme, të hartuar nga Arabia Saudite.

Veç qeverisë siriane, 15 përfaqësues të fraksioneve të ndryshme të opozitës siriane do të ftohen në bisedime, por Mistura e ka njoftuar opozitën se nuk do të pranojë asnjë kusht paraprak për të nisur bisedimet.

Mediat siriane raportojnë se qeveria siriane dhe palët opozitare mbase nuk do të zhvillojnë negociata të drejtpërdrejta gjatë bisedimeve për paqe në Gjenevë. Pritet që negocitata të kryhen nga të dërguar specialë, apo ndërmjetës, që do të shërbejnë si lajmëtarë nga një grup te tjetri.

Ndërkohë, analistë të shumtë thonë se, komuniteti ndërkombëtar po e merr me shumë qetësi organizimin e bisedimeve, ndërsa situata në terren, në Siri, përkeqësohet nga ora në orë dhe luftimet shkaktojnë gjithnjë e më shumë viktima.

Me gjithë lejen e marrë nga qeveria siriane, organizatat e ndihmës humanitare kanë shtyrë dërgimin e ndihmave në zonat ku flitet se njerëzit po vdesin nga uria, për shkak të mosmarrvëshjeve mes grupeve të ndryshme që kontrollojnë vijat e frontit në Siri, pikërisht atje ku duhet të kalojnë karvanet.

Ekspertët thonë gjithashtu se, nuk presin ndonjë çudi nga bisedimet e paqes, pasi situata në terren është kaq e ndërlikuar dhe ka kaq shumë aktorë, saqë do të jetë shumë e zorshme të pranojnë një marrëvëshje apo pakt të përbashkët.

Top Channel