217 persona në burg pas protestave të dhunshme në Francë, Macron akuzon ekstremistët e majtë

23/10/2026 09:43

217 persona janë burgosur në Francë, nga rreth 2,700 të arrestuar pas protestave të dhunshme dhe plaçkitjeve të fundjavës së kaluar.

Shifrat bëhen të ditura nga ministri francez i Drejtësisë, Gérald Darmanin, i cili e cilësoi reagimin e autoriteteve si të jashtëzakonshëm dhe të paprecedentë në përmasat e tij.

Sipas Darmanin, rreth gjysma e personave të arrestuar nuk kishin precedentë penalë. Ai bëri të ditur se shumica e tyre janë burra të moshës 18 deri në 25 vjeç, të cilët nuk kishin pasur më parë probleme me drejtësinë.

Ministri i Drejtësisë mbështeti gjithashtu idenë e pezullimit të së drejtës së votës për personat e akuzuar për përfshirje në akte dhune dhe plaçkitje. Sipas tij, personat që sulmojnë forcat e rendit dhe shkatërrojnë bizneset nuk duhet të ushtrojnë të drejtat e tyre politike në zgjedhjet e ardhshme.

Protestat dhe aktet e dhunës tronditën disa qytete franceze, përfshirë Parisin, ku rreth 3,000 biznese u plaçkitën ose u vandalizuan në të gjithë vendin.

Ndërkohë, presidenti francez Emmanuel Macron akuzoi grupet e ekstremit të majtë se po përpiqen të përmbysin demokracinë, pas asaj që e cilësoi si një nga valët më të rënda të dhunës në vitet e fundit. Ngjarjet vijnë vetëm gjashtë muaj para zgjedhjeve presidenciale.

Për shkak të protestave të reja që priten në Paris të shtunën, panairi ndërkombëtar i artit bashkëkohor Art Basel Paris ka njoftuar mbylljen e edicionit të vitit 2026 dy ditë më herët se sa ishte planifikuar.

Organizatorët bënë të ditur se panairi do të përfundojë të premten, me qëllim mbrojtjen e vizitorëve, ekspozuesve, stafit dhe veprave të artit. Aktiviteti, i cili u hap për profesionistët të mërkurën në Grand Palais, pranë Champs-Élysées, ishte parashikuar të qëndronte i hapur për publikun edhe gjatë fundjavës.

Top Channel