Skandali për caktimin e Katarit si vend organizator i Botërorit 2022 zgjerohet akoma më shumë. Rrjeti televiziv BBC, nëpërmjet një dokumentari të prodhur prej tij, zbulon fakte të reja, sipas të cilave Katari shpenzoi plot 117 milionë paundë për të fituar të drejtën për mbajtjen e këtij aktiviteti.
Kjo provë u zbulua nga Lord Triesman, ish-president i Federatës Angleze të Futbollit (FA) dhe ish-kryesuesi i delegacionit të Anglisë për kandidaturën e Botërorit 2018. Në dokumentarin që titullohet “FIFA, Sepp Blatter and Me”, Triesman theksoi se shifra e shpenzuar nga Katari ishte 6 herë më e lartë se ajo e Anglisë në garën për Botërorin e vitit 2018, deklaratë kjo që deri tani nuk ka sjellë asnjë lloj reagimi nga presidenti i delegacionit të Katarit për Botërorin 2022.
Skandali i korrupsionit të FIFA-s u bë akoma më i madh kur Prokurorja e Përgjithshme e SHBA-së, Loreta Lynch, bëri të ditur se 16 zyrtarë të tjerë të FIFA-s janë vënë nën hetimin e FBI-së, me këtë të fundit që po i afrohet edhe vetë Sep Blatterit dhe kjo jo vetëm për pagesën e bërë në drejtim të Jack Warner për 6.6 milionë paundë për të favorizuar Afrikën e Jugut për Botërorin e vitit 2010.
Te FBI-ja së fundmi janë shtuar dyshimet për rolin që Blatteri ka në skandalin që ka rrethuar partnerin e marketingut të FIFA-s, ISL, për përfitimet prej 66 milionë paundësh nga të drejtat televizive, skandal ku përmenden edhe emrat e Joao Havelange dhe Ricardo Teixeira.
Blatter e ka mohuar se ka qenë në dijeni të marrjes së këtij ryshfeti, por FBI-ja zotëron një letër të nënshkruar nga Havelange, i cili konfirmon pikërisht të kundërtën e pretendimeve të Blatterit. “Theksoj se Blatter është në dijeni të plotë të të gjitha këtyre praktikave”, theksohet në letrën e Havelange.
Top Channel