De Biasi: Nuk po i rrëmbejmë lojtarë Kosovës, ata janë të lirë të zgjedhin

13/11/2015 09:40

Trajneri i kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi, në konferencën për mediat para ndeshjes miqësore me Kosovën, tha se kjo ndeshje do të shërbejë që Shqipëria të përgatitet sa më mirë për Euro 2016, ndaj dhe lojtarët do të mundohen të bëjnë një paraqitje sa më të mirë.

De Biasi sqaroi se nuk do ta pengojnë Federatën e Futbollit të Kosovës në rrugën e saj, duke shtuar se lojtarët janë të lirë të zgjedhin se për cilën skuadër do të luajnë: “Dyert e kombëtares janë të hapura për çdo futbollist shqiptar. Kemi marrëdhënie të mira me FFK-në dhe nuk do ta pengojmë në rrugën e saj. Kemi një ekip shumë të mirë dhe Kosova ka fatin e mirë që ka shumë lojtarë të mirë. Në rast se ndonjë futbollist nuk ftohet nga Kosova, atëherë do e ftojmë ne”.

Ndërsa i pyetur nëse një ditë mund ta drejtojë skuadrën kosovare, De Biasi tha se “kurrë nuk duhet thënë kurrë”.

Kapiteni i kombëtares shqiptare, Lorik Cana, ripërsëriti qëndrimin e tij se “duhet të kemi një kombëtare” dhe u shpreh optimist se një gjë e tillë mund të ndodhë: “Unë jam i bindur që do të vijë dita kur do ta kemi mundësi edhe të kemi vetëm një kombëtare. Elita e çdo futbollisti shqiptar duhet të përfaqësohet me ngjyrat kuq e zi dhe vazhdoj ta mbaj këtë qëndrim dhe ndihem shumë mirë. Por, në momentin që vendosin se janë dy përfaqësuese, besoj dhe shpresoj që dita e bashkimit do të ndodhë shumë shpejt. Në atë moment jam shumë i bindur që përfaqësuesja bëhet e suksesshme sepse ka shumë lojtarë që po dalin”.

Pas konferencës, dy skuadrave iu bashkua kryeministri i Kosovës Isa Mustafa në një darkë të përbashkët edhe me drejtuesit e dy federatave dhe ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozin.

Kryeministri Mustafa, tha se kombëtarja shqiptare është krenaria e të gjithëve, duke theksuar se i përkasim një kombi: “Jeni krenaria jonë, keni qenë dhe jeni bërë edhe më shumë me fitoren dhe me kualifikimin tuaj. Uroj që nesër të shohim një ndeshje ashtu si e dëshirojmë”.

Udhëheqësit e federatave, Fadil Vokrri i Kosovës dhe Armando Duka i Shqiërisë ritheksuan se ndeshja do të jetë një festë e përbashkët.

“Mendoj që është një çast shumë i veçantë, kam kënaqësinë dhe jam pak i emocionuar sepse kemi ëndërruar të jemi kështu dhe u bë realitet”, u shpreh Vokrri.

“Ne pikërisht për këtë jemi sot këtu, për të festuar fitoren e përbashkët, frutin e punës të të gjithë futbollit shqiptar nga të gjitha trevat, frutin e punës të të gjithë trajnerave shqiptarë në Kosovë, Maqedoni dhe Zvicër”, tha Duka.

Ndërsa portieri i kombëtares shqiptare nga Prishtina, Etrit Berisha, tha se ardhja në Prishtinë është detyrë ndaj tifozëve që i kanë përkrahur në të gjitha ndeshjet: “Për neve është ndjenjë shumë e mirë, pasi vijmë së pari për të gjithë tifozët që na kanë mbështetur gjithmonë. E kemi pasur për detyrë të vijmë këtu dhe të bëjmë një ndeshje festive, siç do të ndodhë nesër dhe përpos një ndeshjeje festive, do të jetë dhe një ndeshje për neve që ta shohim më shumë gjendjen e ekipit tonë”.

Të pranishëm në këtë darkë ishin edhe përfaqësues të UEFA-s dhe FIFA-s, ndërsa jashtë hotelit,kanë festuar tifozët e prishtinës “Plisat”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA