Njësia e koordiminit të aleancës qeverisëse, nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama dhe kryeparlamentarit Ilir Meta, për rreth 90 minuta pati në qendër të diskutimit ecurinë e reformave dhe projektbuxhetin e vitit 2016.
Në takimin e zhvilluar në vilën qeveritare numër 30 morën pjesë ministrat Ahmetaj, Tahiri, Cani dhe Haxhinasto, si dhe dy kryetarët e grupeve parlamentare Ruçi dhe Vasili.
I pyetur nga Top Channel për detajet e këtij takimi, ministri Ahmetaj deklaroi: “U fol për zhvillimin ekonomik dhe u rakordua për politikat ekonomike, buxhetore e financiare, që aleanca do ndërmarrë në vitin 2016 edhe në plan afatmesëm”, tha Ahmetaj.
Sipas ministrit të ekonomisë, koalicioni qeverisës ka arritur një dakordësi të plotë për projektbuxhetin. “Të gjitha propozimet janë të rakorduara dhe ka një qëndrim unik për atë që do bëjmë për ekonominë bashkë me institucionet ndërkombëtare”, theksoi Ahmetaj.
Ahmetaj u pyet edhe për çfarë parashikohet në projektbuxhet për taksat. “Nuk ka më taksa të rritura. Pa tjetër që do ketë të ulura, sidomos për bujqësinë dhe turizmin”, sqaroi ai.
Ky ishte takimi i dytë i njësisë së koordinimit të aleancës qeverisëse pas atij të 23 tetorit, kur u diskutua për reformën në drejtësi dhe dekriminalizimin.
Kjo njësi shërben për koordinimin e koalicionit, me qëllim rritjen e nivelit të bashkëpunimit në funksion të reformave të mazhorancës, por edhe çështje të tjera.
Top Channel