Gjesti në VAR ndez debat për simbolika ekstremiste, FIFA hap hetim ndaj arbitrit australian

15/06/2026 11:22

Arbitri australian Shaun Evans është vënë në qendër të një hetimi nga FIFA, pas një gjesti të bërë gjatë transmetimit televiziv të ndeshjes Gjermani–Kuraçao, i cili është interpretuar nga disa vëzhgues si i lidhur me simbolika të supremacisë së bardhë.

Gjatë sfidës, Evans është filmuar duke bashkuar gishtin e madh me atë tregues për të formuar një rreth, ndërsa gishtat e tjerë i mbante të shtrirë. Edhe pse ky gjest tradicionalisht përdoret si shenjë aprovimi, ai është përvetësuar në disa raste nga grupe ekstremiste dhe është lidhur me mesazhe të “White Power”.

Pas reagimeve të shumta në rrjetet sociale, FIFA ka ndërhyrë menjëherë duke ndryshuar protokollin e transmetimit për dhomën e VAR-it. Në ndeshjet pasuese, arbitrat e VAR-it nuk janë më filmuar në plan frontal gjatë analizave, por vetëm në momentin kur përdorin monitorët e lojës.

Ndërkohë, FIFA ka hapur zyrtarisht një hetim ndaj incidentit dhe i ka dhënë mundësinë arbitrit Evans të japë shpjegimet e tij mbi ngjarjen dhe qëllimin e gjestit të bërë gjatë transmetimit live.

Top Channel