Zvicra ka bërë të ditur miratimin e kërkesës për ekstradimin e një zyrtari të lartë të futbollit uruguajan, i cili akuzohet se ka marrë ryshfet.
Eugenio Figueredo është mes 7 zyrtarëve të FIFA-s, trupës më të lartë qeverisëse të futbollit botëror, i cili u arrestua në Zyrih më 27 maj të këtij viti. Ai akuzohet se ka marrë ryshfet shuma prej miliona dollarësh, në lidhje me çështje që kanë të bëjnë me turnetë e Kupës së Amerikës, bëri të ditur zyra e Drejtësisë Federale të Zvicrës.
Atij i janë vënë në dispozicion 30 ditë kohë për të apeluar kundër këtij vendimi, që do ta ekstradonte atë në SHBA për gjykimin e mëtejshëm. Figueredo është ish-zëvendëspresident i Konfederatës së Futbollit të Amerikës së Jugut (CONMEBOL), ndërkohë që ka shërbyer edhe si zëvendëspresident i FIFA-s.
Në deklaratën e publikuar të drejtësisë zvicerane, thuhet se ai akuzohet për marrje ryshfeti nga një kompani marketingu sportiv uruguajane në lidhje me të drejtat e marketingut të turneve të Kupës së Amerikës të viteve 2015, 2016, 2019 dhe 2023. Ai akuzohet gjithashtu edhe për marrjen e shtetësisë amerikane “duke mashtruar, pasi ka dorëzuar raporte të manipuluara mjekësore në vitet 2005 dhe 2006”.
Figueredo i ka kundërshtuar edhe më herët përpjekjet për ta ekstraduar atë në SHBA. Deri më tani, vetëm një zyrtar i arrestuar, bëhet fjalë për ish-zëvendëspresidentin Jeffrey Webb, nga ishujt Kajman, ka pranuar të largohet nga Zvicra.
Gjatë një seance dëgjimore në qershor, Webb nuk pranoi fajësinë për marrje ryshfeti prej miliona dollarësh, në lidhje me shitjen e të drejtave të marketingut. Ai u la në arrest shtëpiak përkundrejt pagesës prej 10 milionë dollarësh nga gjykata e Nju Jorkut.
Eugenio Figueredo është lindur në Uruguaj në vitin 1932. Ai ka luajtur për klubin vendas Huracan Buceo, si dhe ka mbajtur postin e presidentit në vitet 1971-1972. Në vitin 1997, ai u emërua president i Federatës Uruguajane të Futbollit.
Top Channel