“Exclusive”, dosja “top sekret” e komunizmit

24/05/2015 00:00

Për një periudhë 25-vjeçare, Shqipëria komuniste e drejtuar nga Enver Hoxha, e më pas nga Ramiz Alia, ka financuar parti marksiste-leniniste dhe ka formuar grupe ushtarake revolucionare nga Europa dhe gjithë bota, me të vetmin qëllim: përgatitjen dhe përshpejtimin e revolucionit të proletariatit botëror.

Që prej 10 qershorit të vitit 1964, moment kur Enver Hoxha vendosi krijimin e fondit të solidaritetit, e deri në vitin 1990, shteti shqiptar ka shpenzuar mbi 11,5 milionë dollarë në ndihmë të partive marksiste-leniniste të vendeve të ndryshme të botës. Është ky rezultati i nxjerrë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, pas rënies së regjimit komunist.

25 mijë dollarë për lëvizjen komuniste franceze. 15 mijë dollarë për partinë komuniste të Belgjikës dhe 15 mijë dollarë për atë të Kolumbisë.

“Ka pasur marrëdhënie me Burkina Fason, kur erdhi në fuqi Sankara, i cili ishte një udhëheqës mjaft i majtë”, thotë Agim Popa, ish-shef i sektorit të Jashtëm.

Më 20 janar 1967, në Shqipëri do të mbërrinin grupet e para revolucionare nga vende të ndryshme të botës, për përgatitje ushtarake dhe politike.

Sekretariati i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë vendosi të miratojë kërkesën e Partisë Komuniste Marksiste-Leniniste të Ekuadorit dhe Perusë, për të dërguar në Shqipëri nga 5 kuadro partie për përgatitje gjeopolitike dhe ushtarake.

“Këto grupe kishin interes, sepse ne kemi pasur një ushtri jo kazerme, që me t’i rënë borisë të dilnin ushtarët nga kapanoni drejt e në rresht. Ne e kemi quajtur ushtri e popullit ushtar”, thotë Muho Asllani, ish-anëtar i Byrosë Politike.

“Këta kanë përkrahur edhe grupe nga Sudani apo nga Kongo. Dihet që këto vende janë shoqëruar me veprimtari të karakterit ushtarak, marrje pushteti me dhunë e gjëra të tilla”, tregon Luan Malltezi, ish-drejtor i Arkivës së Shtetit.

Por cilat ishin grupet revolucionare që stërviteshin ushtarakisht në Shqipëri dhe cili ishte misioni i tyre?

Sot më 20:05 në “Exclusive”, “Dosja top sekret e komunizmit”.

Top Channel