Testimi i mësuesve jashtë profilit

17/11/2014 00:00

Brenda muajit dhjetor, rreth 4 mijë mësues, të cilët janë jashtë profilit apo nuk kanë arsimin përkatës, do të mbyllin kontratat me Ministrinë e Arsimit.

Drejtoresha e arsimit parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, Zamira Gjini, tha se Drejtoritë Arsimore janë udhëzuar që mësuesit, të cilët janë jashtë profilit, të sistemohen në degën që ata kanë studiuar.

“Ata po njoftohen që profili i tyre nuk përkon me lëndën që japin aktualisht, dhe sipas bazës ligjore do të nënshkruajnë kontratën për largimin nga detyra e tyre dhe, nëse duan të punësohen përsëri si mësues në profil, atëherë do të marrin pjesë në testim. Deri në datën 27 nëntor është regjistrimi në portalin tonë, ndërsa në javën e parë të muajit dhjetor do të bëhet testimi. Brenda muajit dhjetor do të shpallen edhe të gjitha rezultatet e testimit”, tha Zamira Gjini, drejtoreshë e arsimit parauniversitar.

Deri në datën 27 nëntor, në portalin e Ministrisë së Arsimit duhet të regjistrohen të gjithë kandidatët për mësues, të cilët do t’i nënshtrohen provimit shtetëror. Deri më tani janë regjistruar vetëm 800 mësues, në një kohë që Drejtoritë Arsimore deklarojnë se ka 7500 kandidatë për mësues.

“Në bazë të një udhëzimi që ne kemi nxjerrë, kemi ulur pak normën e mësuesve, kemi zvogëluar numrin e nxënësve nëpër klasa, në mënyrë të tillë që t’i sistemojmë mësuesit që janë brenda sistemit, duke ulur sa më shumë numrin e mësuesve që do të rezultojnë të papunë. Por, mësuesit duhet të dinë se, që të punësohen në një Drejtori Arsimore Rajonale, duhet të jenë pjesë e testimit, duke u regjistruar në portal, duke marrë pjesë në testim, të kenë rezultatin e testimit dhe vetëm atëherë mund të punësohen në mësuesi”, tha më tej Zamira Gjini.

Vitin e ardhshëm, të gjithë mësuesit e arsimit parauniversitar do t’i nënshtrohen në maj provimit shtetëror, e më pas do të licencohen në bazë të pikëve që do të marrin.

Top Channel