UET mirëpret ambasadoren e Kinës: Thellojmë bashkëpunimin, shkëmbimet akademike dhe njohjen e ndërsjelltë të diplomave

12/06/2026 16:02

Universiteti Europian i Tiranës solli këtë javë një diskutim mbi zhvillimet globale dhe rolin e Kinës në arenën ndërkombëtare.

E ftuar në kuadër të Forumeve UET ishte Ambasadorja e Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri, Pang Chunxue, e cila u ndal tek rruga e zhvillimit të Kinës, duke theksuar se përparimi ekonomik i vendit është mbështetur te puna, reformat dhe investimet afatgjata.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe marrëdhënieve mes dy vendeve ku rikonfirmoi gjithashtu mbështetjen e Kinës për procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Ne po punojmë me Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë për të rinovuar marrëveshjen tonë dypalëshe për bashkëpunimin në fushën e arsimit, si dhe për njohjen e ndërsjellë të diplomave dhe certifikatave të të diplomuarve. Shpresoj që të arrijmë një konsensus sa më shpejt, në mënyrë që të promovojmë më tej bashkëpunimin tonë në sektorin e arsimit, jo vetëm përmes shkëmbimit të studentëve dhe bursave, por edhe përmes bashkëpunimit ndërmjet universiteteve”, tha ambasadorja Pang Chunxue.

Për drejtuesit e universitetit, takime të tilla krijojnë mundësi që studentët të njihen nga afër me perspektivat e aktorëve të rëndësishëm ndërkombëtarë.

Kjo përbën një mundësi të vlefshme për studentët dhe stafin akademik që të dëgjojnë drejtpërdrejt nga një përfaqësuese e shquar i diplomacisë kineze dhe të angazhohen me perspektivat e një prej vendeve më me ndikim në botë”, tha Blendi Lami-Drejtues i Departamentit të Shkencave Sociale të Aplikuara.

Takimi u shoqërua me pyetje dhe diskutime nga studentët, të cilët patën mundësinë të marrin përgjigje mbi zhvillimet ekonomike, politike dhe diplomatike të Kinës.

Ky forum është në vazhdën e aktiviteteve që Universiteti Europian i Tiranës organizon për të sjellë pranë studentëve personalitete të diplomacisë, politikës dhe jetës publike ndërkombëtare.

 

Top Channel