Gjermania, Kampione e Botës

13/07/2014 00:00

Gjermanët në dëlirë, kampionë të botës për herë të katërt në historinë e tyre. Botërori “Brazili 2014” është mbyllur me një finale të jashtëzakonshme mes Gjermanisë dhe Argjentinës, por në fund ishin europianët që triumfuan.

Mario Goetze ishte heroi i gjermanëve duke shënuar golin e vetëm të ndeshjes në minutën e 113.

90 minutat e kohës së rregullt nuk mjaftuan për të vendosur fituesin, pavarësisht një loje me një ritëm të lart dhe rasteve të shumta për shënim për të dyja ekipet.

Trajneri i Gjermanisë, Joachim Loew bëri lëvizjen e duhur në minutën e 88, duke zëvendësuar  veteranin Klose me talentin e padiskutueshëm Mario Goetze, i cili
bëri mrekullinë për gjermanët, duke lëshuar një goditje të pakapshme për portierin Sergio Romero.

Ashtu si 24 vjet më parë, edhe këtë herë i takoi Argjentinës të dalë kokëulur dhe e përlotur nga finalja e një botërori.

Kjo sfidë shihej nga të gjithë si ndeshja e Messit, por ‘pleshti’ edhe pse ka fituar 4 herë Topin e Artë tregoi se nuk është i njëjti me atë që luan me fanellën e Barcelonës dhe gjithmonë e më larg se Maradona i Botërorit 1986.

Me Higuan dhe me Palasio-n në pjesën e dytë, Sabella u mundua që ta fitonte këtë finale, por taktikat e tij nga bankina dhe ato të Mascherano në fushë nuk arritën të thyenin Gjermaninë e Loew, e cila me lojtarë si Lahm, Muller, Schweinsteiger dhe Klose zhvilloi një botëror për t’u mbajtur mend gjatë.

Janë ata skuadra më e fortë në botë, janë ata kampionët e botës, ndërsa Argjentina, Messi, Mascherano, Higuain dhe Sabella kthehet duarbosh në shtëpi. 

FOTO GALERI
3/17

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA