Tremujori i parë, rriten kreditë e këqija

07/05/2014 00:00

Pas dy tremujorësh me përmirësim kreditë e këqija u rritën sërish në muajt e parë të këtij viti.

Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në fund të marsit niveli i kredive me probleme në banka arriti në 24.08 për qind e totalit nga 23.22 që ishte në dhjetor.

Marsi është muaji kur Qeveria nisi të shlyente faturat e para, përkatësisht 2.6 miliardë, për detyrimet e prapambetura ndaj biznesit, të konsideruar si një nga shkaktarët kryesor të rritjes së kredive të këqija. Autoritetet shpresojnë se shlyerja graduale e këtyre detyrimeve që në total arrin 72.6 miliardë lekë do të ulë ndjeshëm kreditë e këqija duke çliruar sistemin nga ngërçi i moskreditimit.
Niveli i lartë i kredive që nuk kthehen është shndërruar në një nga risqet kryesore të sistemit financiar dhe ekonomisë në tërësi. Pak muaj më parë FMN dhe Banka Botërore kryen një vlerësim të detajuar të gjendjes së bankave dhe institucioneve të tjera financiare duke i rekomanduar qeverisë një sërë masash për të stabilizuar dhe ulur kreditë më probleme. Ndër to përfshihet njohja e kredive që nuk shlyhen si shpenzime të zbritshme nga taksat si dhe forcimi i ekzekutimit të garancive që lihen peng,  

Bankat sërish me fitime të mëdha

Edhe pse në nivele të larta, kreditë e këqija duket se nuk i kanë prekur fitimet e bankave. Në tre muajt e parë të vitit, fitimi total i sistemit bankar kërceu në 45 milionë dollarë, ose gati 3.5 herë më shumë se vitin e kaluar.

Të dhënat tregojnë se rritja e fitimeve ka ardhur kryesisht si pasojë e uljes së shpenzimeve për provigjone që mbulojnë kreditë e këqija. Por një tjetër zë që ka ndikuar jo pak është edhe përmirësimi i bilancit të interesave. Sipas të dhënave për tre muajt e parë shpenzimet që bankat paguajnë për interesa e depozitave të qytetarëve dhe biznesit ranë me 25 për qind në terma vjetorë, ndërkohë që të ardhurat që ato marrin nga interesat e kredive u ulën vetëm me 8 për qind. 

Top Channel