Është shpallur fituesi për ndërtimin e aksit rrugor Milot-Balldren, pjesë e Korridorit Adriatiko-Jonian.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi.
Sipas Karakaçit, ky është një projekt i shumëpritur nga banorët e zonës dhe do të sjellë lehtësim të ndjeshëm të trafikut në këtë segment rrugor.
“Ky është një aks rrugor i shumëpritur nga banorët dhe do të sjellë lehtësimin e trafikut në këto zona. Procedura nuk ka qenë e lehtë, pasi ka pasur disa tentativa të mëparshme, të cilat kanë rezultuar të pasuksesshme. Do të angazhohem personalisht që fillimi i ndërtimit të kësaj rruge të kryhet sa më shpejt dhe projekti të realizohet brenda afateve të përcaktuara në kontratë”, tha ministri.
Fjala e plotë:
Kam kënaqësinë t’ju informoj që ditën e sotme kemi shpallur fituesin e rrugës Milot-Balldren. Ky është një aks mjaft i rëndësishëm, pjesë e korridorit Adriatiko-Jonian dhe që shërben për ndërlidhjen e veriut të Shqipërisë me pjesët e tjera të Shqipërisë.
Kjo është një rrugë e shumëpritur nga banorët e qarkut Shkodër dhe Lezhë dhe që kryen lehtësimin e trafikut në këto zona. Procedura ka qenë jo e lehtë, pasi ka pasur disa tentativa të mëparshme, të cilat kanë rezultuar jo të suksesshme. Megjithatë, me përkushtim dhe profesionalizëm, ia kemi dalë që ditën e sotme të kemi shpalljen e fituesit, e cila bën përfundimisht të mundur ndërtimin e kësaj vepre.
Personalisht do angazhohem që fillimi i ndërtimit të kësaj rruge të kryhet sa më shpejt dhe të ndërtohet brenda afatit të përcaktuar në kontratë. Ndërtimi i kësaj rruge shkon natyrshëm me investimet që ka kryer dhe po planifikon të kryejë Qeveria Shqiptare në veriun e Shqipërisë. Vetëm pak ditë më parë, ne prezantuam nismën ‘Porta e Alpeve’, që është një nismë financimi 100 milionë euro, e dedikuar për veriun e Shqipërisë dhe që e kthen këtë rajon në motor zhvillimi ekonomik dhe turistik të vendit.
Dhe me këtë lajm të mirë, dua t’ju uroj të gjithëve fundjavë të qetë dhe të mbarë.
Top Channel