I përqendruar tek gara, Fernando Alonso u shfaq përpara mjeteve të komunikimit në Sepang, për të shpjeguar ndjesitë e tij përpara kësaj gare të dytë të sezonit.
“Duhet të respektojmë fansat dhe të përpiqemi të ofrojmë një spektakël më të mirë gjatë garës. Besoj se duhet të bëjmë çmos për të ofruar më shumë dyluftime, për t’i mbajtur njerëzit me emocione përpara televizorit. U përpoqëm të bënim diçka në Melburn, por në Australi nuk mbetëm të kënaqur nga rendimenti i makinës sonë. Besoj se në Malajzi do të kemi shanset dhe mundësitë për të bërë një punë më të mirë”, tha Alonso.
Spanjolli shpjegoi edhe problemet e Ferrarit në garën e parë. “Është e vërtetë që makina kishte një zhurmë të çuditshme, por kjo ndodhi edhe sepse nuk kishim të gjithë fuqinë maksimale në dispozicion përpara garës. Kur e kuptuam atë që po ndodhte, u përmirësuam, por lajmi i mirë është që fuqinë e nevojshme e kemi”.
Malajzia është një pistë me kujtime të pëlqyeshme për Fernandon, pasi në Sepang fitoi podiumin e tij të parë të karrierës, në vitin 2003. “Në këtë garë, me nxehtësinë e madhe, do të duhet të mbajmë makinën në kushte më të ftohta, ndryshe humbasim kuaj fuqi. Duhet të kemi parasysh të gjithë rrethanat, por unë gjithmonë e kam pëlqyer këtë pistë dhe kam bindjen që do të bëjmë një punë të mirë”, tha Alonso.
Top Channel