Ukraina, diplomaci dhe kërcënime

04/03/2014 00:00

Ushtria ruse ka kryer një test me raketë balistike, në kohën kur tensionet në rajonin e Krimesë vazhdojnë.

Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se raketa “Topol RS-12M” u lëshua në orën 19:19 (me orën tonë) nga baza “Kaputsin Yar” në afërsi të Detit Kaspik, në Sary Shagan të Kazakistanit. Raketa, në gjendje për të mbajtur edhe mbushje bërthamore, goditi me sukses shënjestrën e përcaktuar.

Shtetet e Bashkuara ishin njoftuar për lëshimin e raketës përpara testit, sipas traktateve të armëve.

Lëshimi i raketës, një prej më të rejave të Rusisë, nuk është diçka e pazakontë, por e papërshtatshme është koha e kryerjes së tij, gjë që alarmon vëzhguesit lidhur me krizën në Ukrainë.

Shtetet e Bashkuara e cilësuan dërgimin e trupave ruse në gadishullin e Krimesë “një akt agresioni”. Presidenti amerikan, Barack Obama, tha se fjalët e Vladimir Putin nuk mund të mashtrojnë askënd dhe Moska nuk ka asnjë të drejtë të ndërhyjë në Krime.

“E di se presidenti Putin ka nje grup tjetër avokatësh që bëjnë
interpretime të tjera, por mendoj se kjo nuk mashtron askënd. Të gjithë e
dinë se megjithëse Rusia ka interesa legjitime për cfarë ndodh në
shtetin fqinj, kjo nuk i jep të drejtën ta përdorë forcën si mjet për të
ushtruar influencë brenda këtij shteti”, deklaroi nga Uashingtoni,
presidenti amerikan, Barack Obama.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, duke iu referuar fjalëve të Vladimir Putin se nuk ka dërguar ushtarë në Krime, tha se “Rusia po punon për të krijuar një pretekst, për të pushtuar më tej”. Kerry garantoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për popullin ukrainas.

“Sot në një pjesë të këtij vendi jemi në një fazë të re të kësaj lufte
për liri. Shtetet e Bashkuara ripohojnë angazhimin e tyre për
integritetin territorial të Ukrainës. Ne dënojmë veprimet e Rusisë”,
deklaroi nga Kievi, John Kerry.

Gjatë takimit me Presidentin Oleksandr Turchynov, kryeministrin Arseniy Jatsenyuk, si dhe përfaqësues të tjerë të qeverisë, Kerry vlerësoi rolin e tyre për vetëpërmbajtje. Shefi i diplomacisë amerikane i paraqiti autoriteteve të Kievit ofertën e Uashingtonit, për një paketë ndihme prej 1 miliard dollarësh, për ta nxjerrë Ukrainën nga kriza.

Pas takimit me Sekretarin amerikan të Shtetit, kryeministri ukrainas Arseniy Jatsenyuk tha se kanë nisur bisedimet për ndihmën financiare me SHBA dhe FMN.

Nga Brukseli, komisioneri për Energjinë në BE, Guenter Oetinger, tha se po shqyrtohet mundësia për ndihmuar Kievin, duke paguar 2 miliardë dollarët që Ukraina i detyrohet Rusisë për faturat e gazit. Më herët, presidenti rus Vladimir Putin tha se Ukraina ishte në kaos, e kontrolluar nga nacionalistët dhe anti-semitët dhe Rusia ka të drejtën të mbrojë qyetarët rus në Ukrainë.

“Militantët e kanë zhytur vendin në kaos. nacionalistët ukrainas dhe
anti-semitet enden rrugëve të Kievit dhe qyteteve të tjera. Nëse banorët
rusisht-folës në lindje të Ukrainës kërkojnë ndihmën e Rusisë, Moska do
të ndërhyrje. Nëse shohim anarkinë të pushtojë rajonet lindore, i
rezervojmë vetes të përdorim cdo mjet të mundshëm për të garantuar
sigurinë e tyre”, tha nga Moska, Vladimir Putin.

Shefi i Kremlinit tha se ende nuk paraqitet nevoja për të dërguar ushtare rusë në Ukrainë, por ai nënvizoi faktin se Moska ruan të drejtën për të përdorur të gjithë mjetet për të mbrojtur qytetarët e saj në lindje të vendit. Ai hodhi poshtë se kanë qenë ushtarët rusë që kanë rrethuar ukrainasit në Krime. Të gjithë trupat atje, tha ai, janë forca pro-ruse me qëllimin për t’u vetëmbrojtur. Putin e cilësoi rrëzimin e Viktor Yanukovych në Ukrainë, pas protestave masive, një grusht shteti anti-kushtetues dhe marrje të pushtetit me armë.

Të martën është shënuar një progres i vogël, siç shkruajnë
mediat ndërkombëtare. Kryeministri Arseniy Jatsenyuk tha se kanë nisur
bisedimet mes ministrave të Rusisë dhe Ukrainës. Ai i cilësoi si “të ndrojtura”,
por gjithsesi janë “hapat e parë”.

Tensionet janë të larta, vecanërisht në bazën ajrore të Belbek-ut, në afërsi të Sevastopolit, qytetit-port të Krimesë, ku ndodhet baza e Flotës Ruse të Detit të Zi. Në orët e para të mëngjesit, forcat pro-ruse qëlluan në ajër për të paralajmëruar ushtarët ukrainas, që më pas u larguan nga baza.

Dy luftëanije ukrainase janë bllokuar, sic raportojnë mediat ndërkombëtare, nga një anije ruse në portin e Sevastopolit. Sipas burimeve ukrainase në Krime ditët e fundit kanë mbërritur 16 mijë trupa ruse.

Megjithëse presidenti Rus, Vladimir Putin, urdhëroi zmbrapsjen në kazerma të 150 mijë trupave, që po merrnin pjesë në një stërvitje ushtarake në afërsi të kufirit me Ukrainën, ky nuk është një urdhër që u referohet trupave që ndodhen në Krime. Kreu i çështjeve të Jashtme në Parlamentin rus i tha BBC-së se Rusia nuk e ka pushtuar Krimenë. “Trupat ruse, – tha ai, – nuk kanë hyrë në territorin e Ukrainës. Ka mijëra atje dhe nuk është nevoja për të çuar të tjera shtesë”.

OKB, të gjithë kundër Rusisë

Për disa nga reporterët në sallën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ku diskutohej cështja e Ukrainës, përballja e dy fuqive të mëdha risolli në mendje reminishencat e Luftës së Ftohtë dhe atyre ditëve kur organin suprem të Kombeve të Bashkuara, Amerika dhe Bashkimi Sovjetik e përdornin jo si forum për zgjidhjen e problemeve, por si platformë për ngritjen e zërit të retorikës.

Frerët e sesionit tepër të ngarkuar i mori në dorë fillimisht ambasadori rus me shpjegimet e prera që justifikonin ndërhyrjen e Moskës. Përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara, Samantha Power tha qartazi se Rusia nuk po i përgjigjet vecse një kërcënimi imagjinar dhe se veprimi ushtarak nuk përbën aspak një mision humanitar, por një shkelje të hapur të ligjit ndërkombetar.

Power përdori fjalë të forta kundër homologut rus, duke thënë me sarkazëm se kush dëgjon zotin Churkin mund të mendojë që Moska është bërë “krahu i reagimit të shpejtë ” i shefit të OKB-së për të drejtat e njeriut.

Korit të kritikave iu bashkua ambasadori britanik Sir Mark Lyall Grant, mëse i drejtpërdrejtë në komentet e tij. “Jetojmë në shekullin e 21-të, tha diplomati i Londrës, nuk jemi as në 1956-tën e as në 1968-tën”, një referencë e qarte kjo ndaj shtypjes së dhunshme të kryengritjes anti-sovjetike në Hungari dhe asaj që ishte asokohe Çekosllovakia.

Bisedimet e treta urgjente të Këshillit 15 anëtarësh në katër ditë mbi krizën e Ukrainës përfunduan me tone armiqësore, por ekzistencën e letrës së Janukovicit, diplomatët e vendeve europiane nuk e mohuan.

“Nuk është  letra e rreme, tha ambasadori i Francës, Gerard Araud, i cili gjithashtu hoqi paralele mes pushtimit sovjektik të Çekosllovakisë dhe asaj cfarë po ndodh aktualisht në Krime. “I rremë është presidenti që e ka shkruar”, tha ai.

Seancën e jashtëzakonshme të Këshillit të sigurimit Araud e përshkroi si tërësisht të pavlerë e u shpreh i zhgënjyer nga fakti që Rusia u përpoq të justifikonte pushtimin me një copë letre.

Top Channel