Media e lirë, por jo shpifje

21/02/2014 00:00

Shqipëria ka bërë përpara përsa i përket lirisë së të shprehurit, informimit dhe lirisë së medias në përgjithësi, por nga ana tjetër është përkeqësuar në lidhje me shpifjen dhe fyerjen.

Më të theksuara janë rastet kur politikanë dhe zyrtarë fyejnë njëri-tjetrin në gjuhë aspak të përshtatshme, madje dhe me akuza të rënda të paprovuara në institucionet e drejtësisë.

Përfaqësues dhe ekspertë të medias, anëtarë të parlamentit kanë disktuar lidhur me situatën aktuale të jurisprudencës për shpifjen pas ndryshimeve nga Kuvendi i Shqipërisë të dispozitave  të Kodit Penal dhe Civil në vitin 2012.

Ministrja e Inovacionit, Milena Harito vuri  theksin në një balancë të domosdoshme ndërmjet lirisë së shprehjes dhe përgjegjësisë për atë që shpreh.

“Mendoj që pikërisht për këtë arsye, pikërisht se vijmë nga një shoqëri ku liria e shprehjes ishte e mohuar krejtësisht jemi në atë që mund të quhet lëvizja e një lavjerrësi, ku nga njëri ekstrem kemi kaluar në një ekstrem tjetër, ku liria e shprehjes ndonjëherë është shndërruar në atë që mund ta quajmë inflacion të shprehjes. Pra kushdo mund të thotë cfarëdo që dëshiron, por ndoshta dhe pa mbajtur përgjegjësi për atë që thotë”, deklaroi Ministrja e Inovacionit, Milena Harito.

Gavin Miller, ekspert i ligjit për median dhe shpifjen solli në tryezë standardet ndërkombëtare  dhe jurisprudencën  në zbatim të nenit 10 të Konventës Europiane  për të Drejtat e Njeriut, ndërsa kreu i Zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë, Marko Leidekker theksoi si tepër të rëndësishëm diskutimin e cështjeve të tilla.

Marco Leidekker, kreu i Zyrës se KiE Tiranë: Mendoj se është gjithmonë e rëndësishme të diskutohet për cështje të tilla, por ajo që është e rëndësishme tani është se është një ligj i ri mbi informacionin ku parashikimet në Kodin Civil dhe Kodin Penal janë ndryshuar dhe është e rëndësishme që ato të zbatohen në mënyrën e duhur, cka përfshin përputhshmërinë e tyre me standardet e vendosura nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Gavin Miller, ekspert i ligjeve për median dhe shpifjen: Kryesorja është ajo cfarë Gjykata ka thënë që liria vjen me përgjegjësi. Gjykata është një mbrojtëse e medias dhe në të njëjtën kohë ajo thekson detyrimin e medias dhe gazetarisë së përgjegjshme.

Zyra e Këshillit të Europës në Tiranë në kuadër të projektit ‘Promovimi i lirisë së shprehjes dhe informimit  dhe liria e mediave në Europën Jug-lindore’  organizoi një tryezë  me temë ‘Shpifja në jurisprudencën bashkëkohore, standardet dhe praktikat më të mira.

Top Channel