Një qytet i vërtetë lundrues është projektuar nga një firmë amerikane, e cila po përpiqet të gjejë tashmë një financues të projektit për ndërtimin e kryqëzorit më të madh të historisë.

Me 25 kate dhe një aeroport mbi të, “superkryqëzori” pritet të jetë i pajisur me absolutisht gjithçka ofron një qytet.

Në projektin e kompanisë me qendër në Florida, “Freedom Ship” do të jetë e pajisur me shkolla, spitale, galeri arti, dyqane, parqe të brendshme, akuariume, kazino, kinema, teatër, fusha sportive, restorante e bare të shumta.

Kryqëzori do të ketë një kapacitet prej 50 mijë personash nëse do të realizohet, por për të ndërtuar këtë përbindësh të detit do të nevojiten 10 miliardë dollarë investim.

Me një peshë prej 2,7 milionë tonësh, qyteti lundrues do të jetë shumë i rëndë për t’u ankoruar ndonjëherë në ndonjë port, ndaj ai do të qëndrojë gjithmonë në det të hapur, teksa do të bëjë një xhiro të plotë të botës çdo dy vjet.

Kuptueshëm, një strukturë e tillë do të kishte nevojë për një sasi të paimagjinueshme karburanti për të funksionuar, ndaj plani parashikon që për motorët të përdoret energjia diellore dhe një metodë novatore e shndërrimit të forcës së dallgëve në energji.

Top Channel