Sa prej jush janë nostalgjikë për ditën e parë të shkollës? Po për mësuesen e klasës së parë? Lorna, Ersilda dhe Arjela, dikur nxënëse të shkollës “Sabaudin Gabrani” dhe tashmë studente, jo vetëm që e mbajnë mend mirë mësuesen e tyre të fillores, por madje dhe shkojnë ta vizitojnë atë herë pas here.

Margarita Lafe i ka kushtuar 35 vite nga jeta e saj profesionit, me shumë përkushtim dhe dashuri. Edhe pse ka kaluar shumë breza, ajo mban mend emrat dhe mbiemrat e thuajse secilit prej tyre.

Vizita e ish-nxënëseve të saj e lumturon pa masë. Ato ndajnë kujtime mes tyre.

“Ka qenë një nga mësueset e mia të preferuara dhe kjo që jam sot është falë saj. Ka qenë shumë e përkushtuar ndaj nesh dhe e mësonim gjithçka në klasë. E kishte shumë pasion profesionin e saj dhe ne prisnim me padurim të shkonim në shkollë”, thonë ish-nxënësit e saj.

Kështu, ato kalojnë disa orë së bashku. Mësuese Margarita flet ende me pasionin e dikurshëm për momentet e kaluara me nxënësit dhe po me aq dashuri risheh dhe dhjetëra albumet fotografike të shkollës.  

Top Channel