Burgoset piloti, tejkaloi me katër herë limitin e alkoolit

22/11/2013 21:15

Një pilot i një kompanie ajrore pakistaneze u dënua me nëntë muaj burgim në Britaninë e Madhe, pasi u konstatua se tejkalonte katërfish normën maksimale të lejuar të alkoolit për të pilotuar.

Kapiteni Irfan Faiz, 55 vjeç, u vrojtua duke pasur probleme në ruajtjen e drejtëpeshimit, ndërsa ecte për të shkuar në kabinën e pilotimit.

I alarmuar, një anëtar i stafit të sigurisë pa se si Faiz përpiqej të maskonte erën e alkoolit duke përtypur njërën mente pas tjetrës, por përsëri ishte evidente që ai ishte në një gjendje gjysmë të dehur.

Pasi iu realizua testi i alkoolit, u pa se kapiteni tejkalonte katërfish normën maksimale të lejuar për fluturim dhe se ishte edhe mbi normën e lejimit të drejtimit të një automjeti.

Pasi u mor në pyetje, rasti i tij iu referua një gjykate, ku mbrojtja e vetme e kapitenit që për pak do të kishte drejtuar një “Airbus 310” me 155 persona në bord drejt Islamabadit në gjendje të pirë ishte se mendonte që nëse pije 12 orë më parë, efektet e alkoolit do të ishin zhdukur deri në momentin që do të pilotonte.

Top Channel