Shkurtohet administrata e Ministrisë së Brendshme

26/09/2013 00:00

Ministria e Brendshme është përballë një reforme të fortë, ku çdo
strukturë e saj do të ndryshohet deri në qelizë, me qëllim që të
shfryhet nga numri i lartë i punonjësve në këtë institucion.

Kjo mësohet nga drafti që është përgatitur nga grupi i punës dhe që ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, pritet ta paraqesë në mbledhjen e radhës të kabinetit qeveritar. Gjashtë drejtori do të shkrihen, të cilat pritet të kthehen në agjenci ose në sektorë, por që do të ketë edhe kalim strukturash nga një institucion në tjetrin. Ndërkohë, numri i punonjësve të administratës, të cilët nuk do të kenë varësi nga ministri, do të jetë vetëm 100 vetë. Gjithashtu, me rikonceptimin për strukturën e Ministrisë së Brendshme mësohet se dikasteri do t’i marrë policisë disa kompetenca, ndërkohë që do t’i japë disa të tjera.

Gazeta “Shqip” ka siguruar draftin e plotë për Ministrinë e Brendshme, që po rishikohet për ndonjë ndryshim përfundimtar nga këshilltarët e ministrit Tahiri.

Projektdrafti

Nisur nga studimet e kryera, grupi i punës ka propozuar ndryshimin tërësor të strukturës organizative të Ministrisë së Brendshme, me synimin kryesor, duke e konceptuar atë si organ politiko-administrativ, në mbështetje të ministrit, për të ushtruar autoritetin e tij kushtetues në institucionet në varësi për zbatimin e programit të qeverisë në fushat e veprimtarive shtetërore që ai mbulon. Ndërtimi i pjesëve përbërëse të aparatit të Ministrisë së Brendshme është konceptuar me një ndarje të qartë të nivelit politik dhe atij si shërbim civil.

Gjithashtu është bërë një ndarje e përgjegjësive dhe kompetencave për çdo strukturë, sipas nevojave prioritare të ministrit të Brendshëm. Organika e kësaj strukture, sipas një llogaritjeje paraprake shkon në rreth 100 punonjës. Funksionet e tjera, pra jo ato të shërbimit civil, të parashikuara në organikën aktuale, përgjithësisht janë transferuar në organet e tjera në varësi të ministrit.

Hiqen 6 drejtori

Nga drafti i përgatitur mësohet se të paktën gjashtë drejtori do të shkrihen në Ministrinë e Brendshme, ku disa do të kthehen në agjenci, ndërsa disa do të futen në varësi të drejtorive të tjera. Një prej tyre është pikërisht Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile. Në draft është propozuar që ajo të bëhet Agjencia Qendrore e Gjendjes Civile, si strukturë autonome, në varësi të Ministrisë së Brendshme. Sa i përket kësaj agjencie është kërkuar që Drejtoria e Automatizimit dhe Drejtoria e Dokumenteve dhe Procedurave të mbetet e pjesë e kësaj strukture.

Po ashtu, pritet të shkrihet Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, e cila do të kthehet në Agjencinë Qendrore të Emergjencave Civile, si strukturë autonome në varësi të ministrit, por jashtë aparatit të ministrisë. Kjo agjenci pritet të ketë në varësi PMNZSH-në (e njohur si zjarrfikëset), por për këtë strukturë është sugjeruar që të jetë edhe në varësi direkt të ministrit të Brendshëm. Po ashtu, dy drejtori të tjera do të shkrihen plotësisht, pikërisht, ajo e Politikave të Pushtetit Vendor dhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve Mbështetëse.

Sipas të dhënave, të dyja do të kalojnë në varësi të sekretarit të Përgjithshëm, ku e para pritet të ndahet në tre sektorë. Ndërkaq, pritet të shkrihet edhe Drejtoria e Auditimit të Brendshëm dhe të përfshihet në Drejtorinë e Inspektimit të ministrit. Kurse, Drejtoria e Prokurimeve të Përqendruara, meqenëse është strukturë e përcaktuar me VKM, propozohet të mbetet si e tillë, deri në një moment të dytë me synimin që në një kohë sa më të shkurtër të shpërbëhet si strukturë, sepse të gjitha agjencitë duhet të bëjnë vetë prokurimet e tyre, sipas cilësisë dhe nevojave specifike.

Kabineti i ministrit

Po ashtu, ndryshimet do të prekin edhe postet në varësi të ministrit, ku pritet të shtohen kompetencat, ndërkohë që Ministria e Brendshme do të vazhdojë të ketë tre zëvendësministra.

Në lidhje me postet e zëvendësministrave, në draft shpjegohet se njëri do të jetë përgjegjës për rendin publik, tjetri si Koordinator Kombëtar Antitrafik, i cili për shkak të koordinimit ndërinstitucional, mund të kalojë në varësi të Kryeministrit, dhe i treti përgjegjës për pushtetin vendor. Ndërsa Kabineti i Ministrit propozohet të jetë një strukturë më e fuqizuar, fillimisht deri në dhjetë këshilltarë, ku do të ketë edhe të jashtëm, sepse në momentin e parë, ngarkesa e aparatit të Ministrisë së Brendshme do të përballohet nga ky staf deri në momentin e ndryshimeve të plota sipas organigramës së re. Po ashtu është propozuar që të ndryshohet Drejtoria e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, ku pjesë e saj pritet të jetë edhe protokolli zyrtar i ministrit të Brendshëm. Gjithashtu, Drejtoria e Administratës është propozuar të rikonceptohet, ku të përfshihen Drejtoria aktuale e Shërbimeve të Brendshme, Drejtoria Aktuale e Teknologjisë së Informacionit, Sektori Logjistik, Sektori i Personelit dhe Sektori i Dokumentacionit, të gjitha në nivel sektori. Kjo drejtori do t’u shërbejë nevojave të aparatit të ministrisë si strukturë mbështetëse. Ndërkaq, ndryshime në strukturë do të kenë edhe drejtoritë e tjera.

Arsyet e ndryshimit

Bashkë me organigramën e propozuar, ekspertët e grupit të punës, që kanë përgatitur strukturën e re, kanë paraqitur edhe një analizë për arsyet e domosdoshme për ndryshimin e Ministrisë së Brendshme. Në draft shpjegohet se analiza është kryer në tërësi brenda një kohe shumë të shkurtër, ku janë studiuar aktet normative që rregullojnë aktualisht organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Brendshme. Po ashtu, për këto ndryshime, ekspertët janë bazuar edhe në perceptimin publik për performancën e këtij institucioni. Përgjithësisht, kuadri ligjor është i kompletuar me aktet e nevojshme ligjore të prodhuara kryesisht para vitit 2005, të cilat janë në konformitet me standardet e BE-së, por që kanë nevojë të rishikohen për t’u përditësuar me rekomandimet e BE-së dhe me objektivat programore të qeverisë së re. Në zbatueshmërinë e këtyre akteve ligjore, ekspertët kanë konstatuar mangësi deri serioze në raste të caktuara, siç është edhe rasti i ndërtimit strukturor të institucionit të Ministrisë së Brendshme gjatë qeverisë “Berisha”.

Problemet e strukturës

Në draft vlerësohet se ka disa të meta në strukturën aktuale të Ministrisë së Brendshme, ku janë evidentuar ato më kryesoret. Specialistët shpjegojnë se organigrama e saj është e fryrë me drejtori të përgjithshme dhe drejtori, të cilat shpesh dublojnë njëra-tjetrën ose që nuk duhet të jenë brenda strukturës së ministrisë për nga funksionet që kryejnë, siç janë Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, Gjendja Civile, Arkivi dhe Njësia Antitrafik. Po ashtu, është konstatuar se organika e saj është tepër e fryrë me funksione organike, që nuk justifikohen për detyrat, përgjegjësitë dhe misionin që kanë, siç është Drejtoria e Auditimit, e cila ka 13 funksione dhe asnjë ndarje sektoriale. E njëjta vlen edhe për Drejtorinë e Shtetësisë dhe Refugjatëve, me pesë funksione dhe pa ndarje sektoriale; Drejtorinë e Përgjithshme të Inspektimit, Çështjeve të Sigurisë dhe Standardeve, e cila ka 11 funksione organike, është e ndarë në dy drejtori dhe s’ka ndarje sektoriale. Të gjitha këto mendohet se kanë sjellë për pasojë një numër të lartë të punonjësve në aparatin e Ministrisë së Brendshme. Aktualisht, Ministria e Brendshme ka 226 punonjës, pa 98 funksionet e SHKB-së. Një aparat i tillë është i vështirë për t’u menaxhuar nga sekretari i Përgjithshëm për nga volumi i punës dhe përplasja e kompetencave.

Drejtor për pagë

Gjithashtu, në draft hidhet mendimi se krijimi i funksioneve drejtor e drejtor i Përgjithshëm me tepri, duket se është bërë me qëllimin e mirë për të stimuluar paga të nivelit të lartë nga lart-poshtë, por normalisht duhet të ndodhë e kundërta. Ndërkohë zinxhiri i hierarkisë është tepër i gjatë, duke krijuar kështu shumë hallka që pengojnë veprimtarinë administrative të institucionit. Sipas analizës, një orientim i ministrit, për të shkuar deri te funksioni me nivelin më të ulët brenda aparatit duhet të kalojë në 6 nivele hierarkike dhe po kështu për t’iu referuar atij, kur normalisht punë eficiente bën niveli i parë, që është specialisti dhe niveli i lartë, që është ministri, pasi të tjerët, në shumicën e rasteve janë në pozicion përcjellës.

Defekt tjetër i strukturës është që brenda saj janë përfshirë struktura që normalisht kryejnë detyra të thjeshta ekzekutive ose shërbime ndaj publikut, kur normalisht ato duhet të jenë struktura sa më afër komunitetit dhe në institucione në varësi të ministrit. Nga ana tjetër rezulton se shumë probleme janë hapur me emërimet e një pjese të mirë të personelit, që nuk përputhen me kërkesat ligjore e profesionale të vendit të punës, ose janë funksione që nuk duhet të jenë në strukturën e aparatit të Ministrisë së Brendshme. Tashmë, të gjitha këto i janë referuar ministrit të Brendshëm dhe pritet vetëm miratimi i draftit për të filluar punën për zbatimin e saj.

Struktura e re, Drejtoria  e Përgjithshme e Kontrollit

Drejtoria e Përgjithshme e Kontrollit, si një ndër institucionet më kryesore që kontrollon të gjithë vartësit e Ministrisë së Brendshme do të jetë struktura më e re, e cila do të varet direkt nga ministri. Për këtë strukturë, grupet e punës kanë pasur shumë diskutime në lidhje me varësinë e saj. Një prej këtyre konkluzioneve lidhet me faktin se Drejtoria e Kontrollit në Ministrinë e Brendshme është e vetmja strukturë që ka ministri të specializuar për të kontrolluar apo verifikuar veprimtarinë e kësaj ministrie. Në lidhje me krijimin e saj është kërkuar të rekrutohet personel edhe nga strukturat e policisë dhe të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm. Drejtoria e re pritet të ketë tre sektorë, pikërisht atë të kontrollit financiar, kontrollit të personelit, që do të merret me procedurat e emërimeve dhe të ngritjes në gradë dhe të kontrollit të situatës së përgjithshme. Ekspertët kanë kërkuar që ky personel të fillojë nga puna menjëherë pas krijimit dhe miratimit të qeverisë dhe brenda një kohe të shkurtër të bëhet pjesë e aparatit të Ministrisë së Brendshme. Po ashtu, nga grupet e punës është sugjeruar që në ministri të krijohet një drejtori e koordinatave për prefekturat, me idenë që ky institucion, pas ndryshimeve ligjore, të kalojë në varësi të ministrit të Brendshëm. Gjithashtu është kërkuar që në emërimet e personelit brenda aparatit të Ministrisë së Brendshme të kenë përparësi personat që vijnë nga strukturat vartëse të saj, duke ruajtur statusin e mëparshëm ligjor.

Drejtoria e Refugjatëve i kalon kufirit

Ministria e Brendshme do të forcojë kompetencat e saj, duke marrë disa prej tyre edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Por, ky institucion do të lëshojë disa kompetenca të tjera, që mendohet të kalojnë në varësi të Kryeministrit ose të policisë. Kjo vihet re pikërisht në organigramën e përgatitur për Ministrinë e Brendshme, e cila kërkon të marrë nën juridiksion një drejtori shumë të rëndësishme, e cila sot mbahet nga policia.

Sipas të dhënave, ajo është Drejtoria e Përpunimit dhe Mbrojtjes së të Dhënave. “Aktualisht, kjo drejtori është në varësi të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, por sipas specialistëve, të cilët kanë punuar për ndërtimin e strukturës, mendohet se në përputhje me misionin, përgjegjësitë dhe kompetencat lëndore, ajo duhet të kalojë në përbërje të aparatit të Ministrisë së Brendshme”, shprehen ekspertët në draft.

Ndërkaq, një tjetër strukturë që pritet të ndryshojë varësinë është ajo e Njësisë Antitrafik. Meqë kjo strukturë është e institucionalizuar me Vendim të Këshillit të Ministrave, grupi i punës është shprehur se mbetet të shqyrtohet fillimisht akti normativ dhe sugjerohet që ajo të kalojë pranë Këshillit të Ministrave.

Nga ana tjetër, Ministria e Brendshme pritet të heqë nga vetja kompetencën e Drejtorisë për Shtetësinë dhe Refugjatët. Për këtë drejtori të rëndësishme është propozuar që të kalohet në Departamentin për Kufirin dhe Migracionin në nivel zyre apo sektori në Policinë e Shtetit. Kjo edhe për faktin se është policia, ajo që merret me verifikimin e personave që trajtohen nga kjo drejtori. Duke qenë se zakonisht, kjo drejtori, nëpërmjet Ministrisë së Brendshme kërkon informacion dhe verifikimet e nevojshme për shtetasit e huaj, është menduar se duke u kaluar në varësi direkte të policisë do të shkurtohen procedurat e mëparshme.

Një tjetër diskutim i rëndësishëm, por që do kohë dhe ende është lënë çështje e hapur, ka të bëjë me Gardën e Republikës. Për momentin është propozuar që kjo strukturë të mbetet në vartësi të ministrit të Brendshëm, meqenëse është e institucionalizuar me ligj organik. Por, grupi i punës ka hedhur mendimin që kjo strukturë të kalojë në varësi të Policisë së Shtetit. Mendimi është bazuar në praktikën e ndjekur nga shumë vende të Bashkimit Europian, megjithëse ende nuk ka një konkluzion përfundimtar. Për këtë strukturë të rëndësishme pritet të ketë shumë diskutime, ku do të vlerësohet projekti më i pranueshëm.

Top Channel