DETAJET/ Si grupi kriminal i Ervis Martinajt dhe ish-deputetit Arben Ndoka rekrutonin vrasës me pagesë, ja zonat ku vepronin

18/05/2024 17:32

Një megaoperacion i drejtuar nga SPAK vuri në pranga 20 persona dhe zbërtheu disa prej ngjarjeve të bujshme kriminale në vend.

Shtatë grupe kriminale u goditën, ndërsa në pranga ranë 14 persona në Shqipëri dhe 6 të tjerë jashtë vendit.

Në qendër të këtyre grupeve kriminale është grupi kriminal i krijuar dhe drejtuar nga shtetasi Ervis Martinaj i cili është në aleancë me grupin kriminal që vepronte në qytetin e Lezhës të drejtuar nga shtetasi Arben Ndoka.

Këta dy grupe kriminale, për arritjen e qëllimit kriminal kanë kontaktuar anëtarë të një grupi tjetër kriminal i cili vepronte në qytetin e Durrësit. Gjithashtu, të dy këto grupe kriminale  kanë rekrutuar vrasës me pagesë të cilët veprojnë kryesisht në zonën e Fushë – Krujës dhe në zonën e Burrelit.

Po kështu për të realizuar qëllimet kriminale Ervis Martinaj kontakton shtetasin Viktor Imeri cili sapo kishte përfunduar vuajtjen e dënimit me burgim i kërkon vrasjen e shtetasit F.H. Në ndihmë të grupeve kriminale të drejtuara Ervis Martinaj dhe Arben Ndoka vijnë  edhe shtetasit Emiljano Shullazi dhe A.A., të cilët edhe pse në kushtet e paraburgimit ndihmojnë Ervis Martinaj dhe Arben Ndokën në realizimin e qëllimit kriminal që është vrasja e Durim Bamit.

Top Channel