Plani për ekzekutimin e Ervis Martinajt/ Durim Bami në aleancë me Leonard Dukën dha Fatmir Hysenin kishin si qëllim vrasjen e bosit të lojërave të fatit

18/05/2024 17:55

Detaje të reja kanë dalë në dritë për dy grupet rivale, ai i Ervis Martinajt dhe Leonard Dukës me aktivitet kriminal në disa zona të vendit.

Prokuroria e Posaçme ka zbardhur disa prej ngjarjeve kriminale në vend, ku grupi kriminal i Leonard Dukës dhe Durim Bamit në bashkëpunim me Fatmir Hysenin organizuan planin për vrasjen e Ervis Martinajt.

Sipas hetimeve, në zonën e Fushë Krujës spikat grupi kriminal i drejtuar nga shtetasi Durim Bami i cili shfaqet në konflikt të hapur me grupet kriminale të drejtuara nga shtetasit Ervis Martinaj dhe Arben Ndoka.

Grupi kriminal i drejtuar nga Durim Bami bën aleancë me një grup kundërshtar të shtetasit Ervis Martinaj dhe që drejtohet nga shtetasit Leonard Duka dhe Fatmir Hyseni persona me precedentë të theksuar kriminal me qëllim vrasjen e Ervis Martinaj dhe Arben Ndoka dhe anëtarëve të tjerë të këtyre grupeve kriminale.

20 persona ranë në pranga gjatë megaoperacionit të SPAK të organizuar në disa qytete të vendit, nga 50 urdhër arreste të lëshuara nga GJKKO.

Nga këto urdhër arreste, 14 prej tyre janë ekzekutuar në Shqipëri dhe 6 jashtë vendit ku në Itali janë arrestuar 2 persona, në Gjermani një person, në Spanjë një person dhe në Belgjikë dy persona të përfshirë në ngjarje kriminale.

7 grupe të strukturuara kriminale me fuqi të konsiderueshme dhe me shtrirje  gjeografike të aktivitetit të tyre kriminal në disa nga qytetet kryesore të vendit si Tiranë, Durrës, Vlorë, Lezhë, Fushë Krujë dhe Rrëshen u goditën gjatë këtij megaoperacioni, ndërsa u lëshuan 43 urdhër arreste.

Mbi 4.5 milion euro pasuri janë sekuestruar gjatë megaoperacionit. Gjatë ekzekutimit të vendimeve të GJKKO janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale:  2.996.760 Euro cash; sasi të konsiderueshme floriri dhe bizhuteri të shtrenjta; ora të markave të shtrenjta me një vlerë të përafërt prej 500.000 Euro; armë zjarri; targa të përshtatura automjetesh; automjete luksoze (nga të cilat 5 të blinduara me vlerë mbi 500,000 Euro); sisteme vrojtimi kamerash, tavolinë pokeri, etj.

Top Channel