EMRAT/ Bashkëpunonin me Durim Bamin dhe Edison Reçin, roli i dy policëve në grupet kriminale! Si shefi i antidrogës jepte informacion për lëvizjet e ….

18/05/2024 18:45

Dy efektivë të policisë kanë bashkëpunuar me grupet kriminale të Durim Bamit dhe Edison Reçit.

Në dinamikën e hetimit, janë grumbulluar prova që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shtetasi Durim Bami në bashkëpunim me shtetasin Altin Morina me detyrë efektiv i forcave “Renea” në kohën e kryerjes së krimit kanë organizuar kultivimin e bimëve narkotike në zonën e Niklës dhe Tapizës, sipas gazetares së Top Channel, Dorjana Bezat.

Shtetasi Klodian Shahini me detyrë Shef i Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë, Lezhë, si pjesë e grupit të strukturuar kriminal ndihmonte shtetasin Edison Reçi, duke i dhënë informacion në lidhje me automjetet dhe hyrje-daljet e shtetasit Preng Gjini.

Hetimi ka nxjerrë në pah se, këto grupe kriminale ishin në gjendje të paguanin shuma të mëdha parash me qëllim realizimin e vrasjes të kundërshtarëve të tyre. Mënyra e kryerjes së veprave penale tregon gjithashtu një shkallë shumë të lartë organizimi dhe rrezikshmërie shoqërore.

20 persona ranë në pranga gjatë megaoperacionit të SPAK të organizuar në disa qytete të vendit, nga 50 urdhër arreste të lëshuara nga GJKKO.

Nga këto urdhër arreste, 14 prej tyre janë ekzekutuar në Shqipëri dhe 6 jashtë vendit ku në Itali janë arrestuar 2 persona, në Gjermani një person, në Spanjë një person dhe në Belgjikë dy persona të përfshirë në ngjarje kriminale.

7 grupe të strukturuara kriminale me fuqi të konsiderueshme dhe me shtrirje  gjeografike të aktivitetit të tyre kriminal në disa nga qytetet kryesore të vendit si Tiranë, Durrës, Vlorë, Lezhë, Fushë Krujë dhe Rrëshen u goditën gjatë këtij megaoperacioni, ndërsa u lëshuan 43 urdhër arreste.

Mbi 4.5 milion euro pasuri janë sekuestruar gjatë megaoperacionit. Gjatë ekzekutimit të vendimeve të GJKKO janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale:  2.996.760 Euro cash; sasi të konsiderueshme floriri dhe bizhuteri të shtrenjta; ora të markave të shtrenjta me një vlerë të përafërt prej 500.000 Euro; armë zjarri; targa të përshtatura automjetesh; automjete luksoze (nga të cilat 5 të blinduara me vlerë mbi 500,000 Euro); sisteme vrojtimi kamerash, tavolinë pokeri, etj.

Top Channel