Korrupsioni në policinë rrugore

05/09/2013 00:00

Zv/shefi i qarkullimit rrugor merrte 200 mijë lekë (të vjetra) për një patentë. “Fiks Fare”, në emisionin e së enjtes në mbrëmje, i dha përgjigje pyetjes që shtroi dy ditë më parë, nëse ishin marrë apo jo paratë për kthimin e patentës së emigrantit nga policët e qarkullimit rrugor të Tiranës dhe kush i kishte marrë.

Pas sorollatjes nëpër sportelet e komisariatit të qarkullimit rrugor të Tiranës, emigranti shqiptar nga Italia më në fund rimori lejen e tij të drejtimit të automjetit, të lëshuar nga autoritetet italiane. Patentën ai e ka rimarrë, por pa kaluar në komision dhe pa u ndëshkuar.

Gazetarët e “Fiks Fare”, një ditë më parë treguan se si bllokohet patenta e një emigranti dhe se si i kthehet atij, duke paguar 20 mijë lekë në zyrën e një prej drejtuesve të komisaritit të qarkullimit rrugor, në atë të zv/shefit të këtij komisariati, zotit Baftar Hadushaj.

Investigimi i “Fiks Fare” ka vazhduar pas premtimit që punonjësi i policisë, anëtar i komisionit të patentave, i bëri emigrantit për rimarrjen e patentës pa dalë në komision dhe pa u ndëshkuar.

Për të mos i dërguar dokumentet në Ministrinë italiane të Transporteve, dhe që të mos penalizohej në shtetin ku ai jeton, polici shqiptar i propozoi një rrugë tjetër zgjidhjeje, atë të ryshfetit. Kundrejt një pagese, që do të ishte më e lartë se sa gjoba, ai i del garant që t’i nxjerrë patentën nga dosja ku është futur.

Takimi i lënë për ditën e nesërme u zhvillua në zyrën e zëvendës/shefit të qarkullimit rrugor të Tiranës, zotit Baftjar Hadushaj. Ai e ka pritur vetë emigrantin në oborrin e komisariatit dhe e ka shoqëruar për në zyrën e tij.

Pikërisht në zyrë, ai ka marrë prej emigrantit shumën prej 20 mijë lekësh të reja. Pasi ka bërë një shënim për rimarrjen e patentës, i ka thënë emigrantit që mund ta tërhiqte tashmë patentën në sportel.

Më pas, emigranti është kthyer në sportelin ku ndodhej efektivi i policisë, anëtari i komisionit të patentave, z.Agim Kamberi, i cili një ditë më parë i kishte treguar se si mund ta nxirrte patentën nga dosja, pa u penalizuar, por duke paguar.

Menjëherë pas videos së parë, të publikuar nga emisioni investigativ “Fiks Fare”, ku një emigranti i bëhej presion nga policia shqiptare për të marrë ryshfet, ka reaguar edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Ai ka përjashtuar nga detyra policin Agim Kamberi, me gradë nënkomisar, me detyrë polic pranë Drejtorisë së Policisë Rrugore, me akuzën e shkeljes së Kodit të Etikës.

Policia e Shtetit njoftoi se ka nisur gjithashtu aplikimin e masave disiplinore ndaj nënkomisar Agim Kamberit, ndërkohë që edhe Prokuroria e Tiranës njoftoi se për këtë rast, njësia “Task Forcë” ka nisur hetimet për korrupsion pasiv dhe shpërdorim detyre, ndaj nënkomisarit Kamberi.

Top Channel