Një Brazil i udhëhequr nga Neymar arriti një fitore të lehtë përballë Japonisë, në ndeshjen hapëse të Kupës së Konfederatave.
Si zakonisht, ky kompeticion po mbahet në vendin pritës të Botërorit të vitit të ardhshëm, në Brazil.
21-vjeçari i sapotransferuar tek Barcelona, ishte ai që zhbllokoi rezultatin që në minutën e tretë, me një gol të mrekullueshëm nga 20 metra, me një gjuajtje fluturimthi që shënjestroi trekëndëshin e portës së aziatikëve.
Në pjesën e dytë, i shërbyer nga Dani Alves, Paulinho dyfishoi me një gjuajtje pas një rrotullimi të shkëlqyer në zonë, ndërsa Jo vendosi në “kasafortë” fitoren, me një gol të realizuar në kohën shtesë, pas një asisti të mrekullueshëm prej Oscar.
Megjithatë, fitorja e Brazilit u karakterizua nga protesta dhe përleshje të publikut me forcat e rendit në prag të ndeshjes, ngjarje që errësuan këtë fillim të mbarë të Seleçaos.
E vlefshme për grupin e të zotëve të shtëpisë, luhet sot në mbrëmje edhe ndeshja midis Meksikës dhe Italisë.
Top Channel