Presidenti i Bolivisë, Evo Morales njoftoi vendimin për të dëbuar nga vendi Agjencinë Ndërkombëtare Amerikane të Zhvillimit, “USAID”.
Morales akuzoi organizatën amerikane se po minon punën e qeverisë së vendit të tij. USAID ndodhet prej 5 dekadash në Bolivi dhe pjesa më e madhe e aktivitetit dhe financimeve të saj kanë qenë për autoritetet si ndihmë për luftën kundër drogës.
Duke folur me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, Morales tha “se nuk do të lejojë kurrë institucione amerikane në vend që të punojnë kundër popullit dhe qeverisë boliviane. “Ndaj, shtoi ai, në këtë ditë maji kemi vendosur të dëbojmë USAID”.
Qendrimi anti-amerikan i Moralesit u bë i njohur që në vitin 2008, kur dëboi nga vendi ambasadorin e Shteteve të Bashkuara dhe një administratë që ofronte ndihmë në luftën kundër lëndëve narkotike.
Morales njihet si një prej admiruesit e politikave të majta dhe mbështetës i politikave të Hugo Chavez-it në Venezuelë, në gjurmët e të cilit po ecën pas njoftimit se brenda këtij muaji qeveria do të shtetëzojë sistemin e hidrocentraleve dhe gjithë rrjetin elektrik.
Top Channel