Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dekretoi ligjin që ndalon krejtësisht prijen e duhanit në hapësirat publike.

Ligji hyn kështu në fuqi, pas miratimit në fillim të prillit në Kuvend, me 71 vota pro, asnjë kundër dhe dy abstenime. Përmes këtij ligji përcaktohen masat për ndalimin dhe kufizimin e përdorimit të duhanit.

Pirja e duhanit tashmë ndalohet në 100 për qind në hapësirat publike, ku bëjnë pjesë: hapësirat e punës, mjetet e transportit publik dhe disa ambjente të hapura të përfshira në këtë ligj.

“Shëndeti publik është vlerësuar jetik dhe ligji për kontrollin e duhanit në përgjithësi nuk cënon të drejtat kushtetuese dhe interesat legjitime të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar gjatë së premtes Arbër Vllahiu, këshilltar i presidentes Jahjaga.

Kundër ligjit kanë protestuar kompanitë që merren me shitjen me pakicë dhe shumicë të duhanit. Ata kanë kundërshtuar nenin 9, pikën 2 të të cilit, që ndalon ekspozimin e duhanit.

“Produktet e duhanit nuk lejohen të vendosen apo të jenë të dukshme në asnjë vend të shitjes, përveçse të jenë të dukshme në momentin e transkaksionit të shitjes dhe nuk duhet të jenë të shfaqura për qëllime komerciale në asnjë vend tjetër”, thuhet saktësisht në këtë nen.

Sido që të jetë, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, Kosova ka rreth 1.8 milionë banorë, ndërsa hulumtimet e bëra nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik tregojnë se rreth 500 mijë njerëz në Kosovë konsumojnë duhanin në mënyrë të rregullt.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA