Ish-Presidenti i Afrikës së Jugut, Nelson Mandela, po bën përmiësime të vazhdueshme, ndërsa po trajtohet në një spital për pneumoni, informuan të mërkurën burimet spitalore.
Familja e Mandelës ka mundur të vizitojë 94-vjeçarin në spital gjatë këtyre ditëve dhe ka qëndruar përkrah gjatë përmirësimit të vazhdueshëm shëndetësor.
Për mjekët, i rëndësishëm është fakti se trupi i të moshuarit po i përgjigjet mjekimeve shumë më mirë se sa në datën e shtrimit të tij, në 27 mars.
Ky është shtrimi i katërt i heroit të luftës kundër racizmit në Afrikën e Jugut në dy vjet.
Në dhjetor, Mandela qëndroi i shtruar për tre javë për t’u kuruar nga një infeksion në mushkëri dhe gurë në veshka, periudha më e gjatë si i shtruar që prej largimit nga burgu në vitin 1990.
Në shkurt, fituesi i çmimit Nobel për Paqen në vitin 1993, gjithashtu u kurua për shkak të një problemi në stomak.
Presidenti i parë pas fitimit të demokracisë, Mandela vuajti 27 vite burg, duke u shndërruar në një simbol të luftës për barazi shoqërore dhe demokraci.
Prej disa vitesh, presidenti i parë me ngjyrë në vendin ish-koloni britanike, Mandela është tërhequr nga jeta publike në Afrikën e Jugut, për shkak të problemeve të tij shëndetësore.
Top Channel