Nga skuderia Mercedes përçojnë mesazhe qetësie në lidhje me besueshmërinë e makinës së tyre në kuadër të sezonit të ri të Formulës 1. Në ditën e debutimit të njëvendëshes së re në Jerez, Nico Rosberg pati një problem mekanik, ndërsa ditën pasardhëse Lewis Hamilton doli nga pista për shkak të një problemi me frenat.
Por, këto incidente nuk kanë shqetësuar aspak drejtuesit e makinës gjermane dhe ky fakt mbështetet edhe nga një ish-kampion bote në Formulën 1, Niki Lauda.
“Testimet shërbejnë pikërisht për këto gjëra. Për të provuar dhe korrigjuar problemet që shfaqen. Nuk ka vend për shqetësim, aq më pak që bëhet fjalë për testimet e para”, ka deklaruar Lauda për gazetën gjermane ‘Bild’.
Lauda mendon se Mercedes do të jetë një nga tre ekipet që do të luftojnë për titullin kampion: “Rosberg dhe Hamilton punuan mirë në testime dhe unë mendoj se Mercedes do të luftojë për kampionatin këtë sezon.”
Gjithsesi Lauda mendon se Vettel mbetet ende piloti më i shpejtë: “Do të ketë pak diferenca mes makinave, por mendoj se Vettel mbetet më i shpejti. Red Bull vazhdon të jetë një hap para makinave të tjera.”
Top Channel