Ekskluzive/ Trajneri Daja përplaset me mesfushorin Goudiaby, e dërgon të luajë me Dinamon B

15/04/2026 18:05

Kur u duk se Dinamo po kthehej në ditët e saj më të mira, ekipi kryeqytetas u ndal vetëm me një barazim 1-1 në Ballsh përballë Bylisit. Ndeshja u kushtëzua më së shumti nga një nga karton i kuq tejet naiv i Goudiaby, i cili mori dy të verdhë në harkun e vetëm dy minutave, 66-të dhe 68-të.

Dinamo arriti të barazonte, por fitorja me një lojtar më pak u bë e pamundur, duke humbur një shans të madh për tu shkëputur nga Partizani për vendin e katërt. Në deklaratën pas ndeshjes, trajneri Daja nuk i kurseu kritikat për mesfushorin, duke e cilësuar si të papërgjegjshëm.

“Top Channel” mëson ekskluzivisht se edhe në dhomat e zhveshjes nuk ka munguar tensioni mes trajnerit Daja dhe mesfushorit, madje gjithçka ka konkluduar edhe në një përplasje fizike, e cila fatmirësisht është ndalur “rrufeshëm” nga lojtarët dhe stafi, të pranishëm gjatë incidentit.

Daja e konsideron fajtor Goudiabyn për rezultatin dhe vështirësinë në të cilën e çoi skuadrën dhe ka marrë gjithashtu vendimin për ta dërguar përkohësisht në ekipin B. Ky vendim i është komunikuar edhe vetë mesfushorit, i cili edhe pse aktualisht jo në ditët e tij më të mira, ka qenë një pikë kyçe e bluve.

Top Channel