Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Ekuador, ku arbitri i futbollit Javier Ortega është vrarë me armë zjarri në mes të një ndeshjeje, duke shkaktuar panik të madh te lojtarët dhe tifozët e pranishëm.

48-vjeçari u qëllua për vdekje pasi disa persona të armatosur hynë në fushë gjatë takimit në qytetin Pasaje. Sipas dëshmitarëve, sulmuesit iu afruan arbitrit dhe hapën zjarr, duke e lënë të shtrirë në tokë para syve të tmerruar të të gjithëve. Ndeshja u ndërpre menjëherë, ndërsa lojtarët dhe spektatorët u larguan me shpejtësi për t’u shpëtuar plumbave. Shërbimet e emergjencës mbërritën në vendngjarje, por fatkeqësisht nuk arritën ta shpëtonin arbitrin, i cili u shpall i vdekur në vend.

Autoritetet lokale kanë rrethuar zonën për hetime dhe po analizojnë pamjet e regjistruara nga telefonat e dëshmitarëve, ndërsa po merren në pyetje persona që mund të ndihmojnë në identifikimin e autorëve. Deri tani nuk është bërë asnjë arrestim.

Dyshohet se bëhet fjalë për një atentat të mirorganizuar, megjithëse motivet ende nuk janë të qarta. Vrasja ka shkaktuar reagime të forta nga komuniteti sportiv, ku organizatat e arbitrave kanë kërkuar masa më të forta sigurie në ndeshjet lokale. Ngjarja ka rikthyer shqetësimet për rritjen e dhunës në futbollin amator në Ecuador. Ndërkohë, komuniteti lokal ka ndezur qirinj në nder të viktimës, duke kërkuar drejtësi dhe më shumë siguri në aktivitetet sportive. Klubi organizator ka pezulluar të gjitha ndeshjet e ardhshme deri në një njoftim të dytë, ndërsa hetimet për këtë krim të rëndë vijojnë.

Top Channel