Qeveria shkurton investimet

12/09/2012 00:00

Në pritje të përmbylljes së procesit të privatizimeve, Qeveria ka
hartuar një variant alternativ të buxhetit për vitin 2012, i cili
diktohet nga nevoja për të mbajtur nën kontroll borxhin publik.

Sipas draftit të ri, të publikuar nga Ministria e Financave, shpenzimet e buxhetit shkurtohen me 11.7 miliardë lekë ose 117 milionë dollarë krahasuar me planin e fillimvitit dhe pjesa më e madhe e tyre prekin direkt investimet publike.

Sipas variantit të shkurtuar, investimet publike ulen me 6.7 miliardë lekë, krahasuar me planin fillestar duke zbritur në 63.1 miliardë lekë. Në vlerë, kjo është shifra më e ulët e investimeve publike që nga viti 2007, ndërsa si raport ndaj Prodhimit Kombëtar ajo cek nivelin më të ulët të 7 viteve të fundit duke zbritur në 4.6 për qind.

Ndërhyrja në buxhet dhe shkurtimi i shpenzimeve diktohet nga mosrealizimi i të ardhurave, për sa kohë rezultati i procesit të privatizimeve mbetet ende i paqartë. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, këtë vit të ardhurat totale në buxhet pritet të jenë rreth 344 miliardë lekë ose 11.7 miliardë lekë më të ulëta nga ato që ishin parashikuar në buxhetin e fillimvitit.

Kjo situatë ka imponuar shkurtimin me po të njëtën mase të shpenzimeve publike, për të mos lejuar rritjen e deficitit buxhetor përtej kufirit ligjor që ka vendosur kuvendi, ccka do të rrezikonte tavanin ligjor të borxhit. Varianti i rishikuar i buxhetit bazohet mbi pritshmëritë e Ministrisë së Financave për këtë vit. Ai ende nuk ka formë zyrtare, pasi për këtë duhet që më parë të marrë miratimin në Parlament.

Top Channel