Pothuajse të gjitha zjarret, rreth 10 raste me përmasa të ndryshme, që kanë shkatërruar disa zona të bregut adriatik të Kroacisë, janë vënë nën kontroll ose janë shuar.

Lajmin e ka bërë të ditur Mbrojtja civile kroate, sipas të cilës flakët janë vënë nën kontroll falë avionëve të “Canadair”, që ndërhynë pasi ishte qetësuar era e fortë.

Sipas autoriteteve kroate, zjarret kishin përfshirë zona të bregdetit të Adriatikut, në veçanti veriun dhe disa ishuj, që frekuentohen shumë nga turistët.

Mbrojtja civile ka njoftuar gjithashtu se tani nuk ka më rreziqe për banesat dhe se është kthyer në normalitet edhe trafiku në rrugën që lidh Lumin me Zarën.

Zjarret gjatë periudhës së verës janë të shpeshta në lokalitetet turistike të Ballkanit. Pak ditë më parë flakë të mëdha përfshinë rajonin e Akaiës, në zonën përreth qytetit të Patras, në Greqi.

Zjarri ra mëngjesin e së mërkurës në afërsi të Selës, ku po mbahej një ceremoni fetare. Ndërkohë, një tjetër zjarr i madh kishte rënë më herët në zonën e Kisamos, në ishullin e Kretës, ku janë shkatërruar pyje e fusha të kultivuara.

Autoritetet zakonisht deklarojnë se zjarre të tilla shkaktohen nga pakujdesitë e qytetarëve, të ndihmuara nga temperaturat e larta, por nuk përjashtohet mundësia që në disa raste të jenë të qëllimshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA