Rikthehet tensioni për ishujt Falklands

02/03/2012 16:15

Presidentja e Argjentinës, Cristina Fernandez de Kirchner, deklaroi se ka ndërmend t’i kërkojë Britanisë së Madhe rinegocimin e marrëveshjeve për fluturimet në ishujt Falklands.

Aktualisht, ishujt me tre mijë banorë shërbehen në mënyrë të përjavshme nga një linjë kilene. Megjithatë, de Kirchner kërkon që ishujt e quajtur në spanjisht Malvinas të shërbehen nga një lidhje direkte me Buenos Airesin.

Ministria e Jashtme e Brianisë, e njohur ndryshe si “Foreign Office”, u përgjigj duke thënë se çdo marrëveshje për fluturimet është në kompetencat e qeverisë lokale të ishujve.

Megjithatë, në komunikatën e Londrës shprehej dëshira e autoriteteve vendase që pala argjentinase të respektojë një marrëveshje të vitit 1999, duke lejuar fluturimet nga Kili që të vazhdojnë të përshkruajnë hapësirën terrotoriale argjentinase.

Buenos Airesi nuk e njeh sovranitetin e britanisë mbi ishujt që ndodhen shumë pranë bregut perëndimor të Argjentinës.

Përshkallëzimi i tensioneve për ishujt Falkland ka hyrë në një spirale të rrezikshme së fundmi, pasi disa vende të Amerikës së Jugut përkrahën nismën argjentinase për të bllokuar të gjitha mjetet lundruese me flamurin e Falkland që kërkonin të hynin në portet latine.

Kësaj nisme, Britania iu përgjigj me militarizimin e ishullit, ku është dërguar edhe Princi William. Buenos Aires dërgoi si rrjedhojë në OKB një ankesë zyrtare më parë gjatë shkurtit, ndërsa shpalli bojkot edhe ndaj anijeve me flamur britanik.

Argjentina fitoi pavarësinë nga Spanja në vitin 1810 së bashku me ishujt Malvinas, por Perandoria Britanike i pushtoi në vitin 1833 dhe që prej atëherë, të ripagëzuar në Falklands, ishujt i përkasin kurorës së Mbretëreshës.

Në vitin 1982, Argjentina u përpoq të rikthente sovranitetin argjentinas duke pushtuar ishullin, por Britania shpalli luftë dhe brenda tre muajsh, rifitoi ishujt, në një luftë që i kushtoi jetën mbi një mijë ushtarëve dhe civilëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA