Bashkia e Gjirokastrës rrit taksat vendore për 2012

18/02/2012 00:00

Buxheti i bashkisë së Gjirokastrës është diskutuar gjatë në Këshillin
bashkiak pasi këtë vit bashkia e qytetit duket se ka marrë një grant të
paktën 15% më të ulët se parashikimi.

Ndarja e buxhetit e cila mesa duket ishte diskutuar më parë në komisionet e këshillit duket se i jep prioritet këtë vit kulturës, arsimit dhe sporteve ndërsa në të njëjtin nivel shpenzimesh do të mbeten pastrimi ndricimi dhe një radhë shërbimesh publike të ofruara për qytetarët.

Ajo çka ka ngjallur debate në këshill ishte vlera e rritur e taksave vendore ku të gjithë taksapaguesit do të paguajnë këtë vit 10% më shumë për ndriçimin publik, gjithashtu 10% më shumë për pastrimin ndërsa bashkia ngarkon më një tarifë gjelbërimi që nuk ekzistonte më parë prej 600 lekësh të gjitha familjarët dhe bizneset.
Buxheti nuk ka asnjë përmirësim në zërin shpenzime për trajtimin e mbetjeve urbane krahasimisht me një vit më parë , cka ka qenë dhe një ndër problematikat më të ndjeshme të qytetit, nën justifikimin e nevojës për fonde përtej kapaciteteve lokale.

Gjithashtu më shumë do të paguajnë këtë vit në arkën e Bashkisë mjetet taksi dhe pronarët e hoteleve për të cilët është dyfishuar përkatësisht tarifa e parkimit dhe taksa mbi xhiron vjetore.Të gjitha njësitë e akomodimit do të paguajnë këtë vit për të ardhurat lokale jo më 2% të xhiros së tyre vjetore por 4%.

Financierët e kanë justifikuar këtë buxhet taksash të rritura me reduktimin e të ardhurave lokale prej kufizimit të fondit akorduar nga Ministria e financave gjithashtu me eleminimin e taksave të përfituara nga ndërtimit prej 2% në vit taksa që nuk do të vilen më për shkak të pezullimit të lejeve të ndërtimit në shtator të 2011, deri në hartimin e planit përfundimtar urbanistik. Buxheti prej 78 milionë lekësh të reja nga 91 milionë të parashikuar është miratuar në këshillin bashkiak me konsensusin e palëve.

Top Channel