Në orët e pasdites nisi në Bruksel raundi i shtatë i dialogut Kosovë-Serbi sipas palës shqiptare, apo Prishtinë-Beograd, sipas palës serbe dhe Brukselit ndërmjetësues.

Udhëheqësit e dy delegacioneve premtuan para kamerave se asnjë marrëveshje e mundshme nuk do të shkelë kushtetutat e vendeve që përfaqësojnë, duke dëshmuar sërish hendekun mes palëve dhe qëndrimet kontradiktore.

“Është e mundur të mbërrihen marrëveshje sepse Kushtetuta e Republikës së Kosovës ka për bazë filozofinë euro-atlantike dhe predikon vlerat evropiane. Siç e dini ne vazhdimisht kemi thënë se jemi për zgjidhje evropiane që janë në harmoni me Kushtetuën, ligjet e Republikës së Kosovës, por edhe filozofinë politike të Shtetit të Kosovës për një Kosovë evropiane dhe euro-atlantike”, tha Zëvendës/Kryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri.

”Po ne jemi gati, kemi qenë gjithnjë gati për të zbatuar ato për të cilat jemi marrë vesh. Sigurisht nuk është e lehtë të përmbushësh teknikisht gjithçka në një kohë kaq të shkurtër por unë mund të garantoj se qeveria jonë do të gjejë një rrugë për t’a bërë. Sigurisht që ne nuk do t’a bëjmë kurrë një gjë të tillë në një mënyrë që mund të bjerë ndesh me sistemin tonë kushtetues apo me ligjet tona. Megjithë respektin, të njëjtën gjë e ka shumë për zemër edhe Prishtina, pra ne do të bëjmë të njëjtën gjë. Pra ne nuk do të pranojmë kurrë të ma fusin në ndonjë lloj kurthi zbatues që do të përpiqet të dëmtojë Kushtetutën tonë dhe interesin tonë kombëtar”, u shpreh Drejtori Politik në MPJ serbe, Borko Stefanoviç.

Sipas organizatorëve europianë të takimit të radhës, temat që pritet të diskutohen janë: energjia, telekomi, pjesmarrja e Kosovës në aktivitetet ndërkombëtare si dhe çështja e diplomave. Por tema më e nxehtë mbetet, sigurisht, çështja e zbatimit të marrëveshjes për lëvizjen e lirë, e bllokuar prej disa muajsh, ndër të tjera, me barrikada serbe në veri.

“Nga pesë marrëveshje, vetëm një po zbatohet, ajo e tregëtisë së lirë, nga të dyja palët. Kosova e zbatoi menjëherë marrëveshjen e 2 shtatorit. Serbia e vonoi disa javë por tani po e zbaton. Megjithatë llogjika e barrikadave po e dëmton në një farë mënyre këtë liri të lëvizjes së mallrave. Dhe siç e dini ne duhet të punojmë për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të makinave. Prandaj po e theksoj  se suksesi i dialogut është tek zbatimi”, shtoi Tahiri

“Ne presim të kemi disa rezultate konkrete sot, siç kemi bërë gjithnjë. Duket realiste se mund të zgjidhim çështjen e diplomave universitare dhe përfaqësimit rajonal të Prishtinës. Unë nuk do të përkulem tek çështja administrative e pikë-kalimeve me Kosovën, por nuk do të jetë e lehtë, kur njohim frymën dhe qëndrimin e krahut tjetër, kjo do të përbëjë sërish një sfidë të stërmadhe për të gjithë ne”, theksoi sërish Stefanoviç.

Megjithë shtrëngimet e duarve dhe buzëqeshjet diplomatike në Bruksel, përplasjet dhe nxjerrja e dhëmbëve në terren tregojnë atmosferën e vështirë që rëndon mbi këtë “dialog”, i cili kësaj here, në varësi të zhvillimeve të sotme, pritet të vazhdojë edhe të mërkurën në mëngjes.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA