Pesë persona janë arrestuar të dielën gjatë një operacioni të përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, në kuadër të hetimeve për krime lufte në rastin e njohur si “Reçaku II”.

Sipas Prokurorisë Speciale, të arrestuarit dyshohen se kanë qenë pjesë e njësive speciale të policisë serbe që morën pjesë në operacionin e 15 janarit 1999 në Reçak, ku u vranë 42 civilë shqiptarë.

Gjatë operacionit janë realizuar urdhër-kontrolle në disa lokacione, ndërsa një person i gjashtë i dyshuar nuk është gjetur në vendbanimin e tij dhe nuk është arrestuar.

Në një konferencë për media, Prokuroria bëri të ditur se të arrestuarit janë të nacionalitetit serb dhe ish-pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. Katër prej tyre janë pensionistë, ndërsa njëri vazhdon të punojë në shërbimet postare në Serbi.

Sipas Policisë së Kosovës, njëri nga të dyshuarit është arrestuar në pikëkalimin kufitar në Dheu i Bardhë në orët e para të mëngjesit, ndërsa katër të tjerët në lokacione të ndryshme në Kosovë.

Gjatë kontrolleve, autoritetet thanë se kanë sekuestruar dokumente, uniforma, pajisje policore dhe materiale të tjera që konsiderohen relevante për hetimin.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka përgëzuar Policinë e Kosovës, Prokurorinë dhe AKI-në për aksionin, duke shkruar në Facebook se krimet e luftës nuk do të mbeten pa ndëshkim dhe se ndjekja e përgjegjësve do të vazhdojë pa kompromis.

Aksioni ka nxitur edhe reagimin e Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës që gëzon mbështetjen e pushtetit në Beograd, e cila tha se bëhet fjalë për një “valë të re të frikësimit dhe përndjekjes së serbëve në Shtërpcë dhe Gjilan përmes arrestimeve të pabazuara”, me qëllim të “krijimit të një atmosfere frike, pasigurie dhe presioni shtesë ndaj popullit serb”.

“Ajo që po shohim është dhunë e pastër institucionale dhe presion i motivuar politik ndaj popullit serb. Prishtina tash e disa vite, përmes veprimeve të tilla, ka tentuar të ndërtojë një narrativë të rrezikshme, sipas së cilës çdo serb që ka qenë në moshë madhore në vitin 1999 mund të akuzohet pa asnjë bazë për veprat më të rënda penale”, tha Lista Serbe në një postim në Facebook.

Së voni, autoritetet kosovare kanë arrestuar të dyshuar të shumtë dhe kanë ngritur një sërë aktakuzash për krime lufte në Kosovë.

Ndërkaq, që nga përfundimi i luftës, dhjetëra të dyshuar janë dënuar për këto krime para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Fillimisht pas luftës, përkatësisht nga viti 2000 dhe 2008, krimet e luftës në Kosovë u hetuan nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX).

Më 2018, EULEX-i ia dorëzoi lëndët organeve vendore të drejtësisë.

Më herët, lidhur me rastin “Reçaku II”, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë në mungesë ndaj 21 personave të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile.

Prokurori special Mir Morina tha se hetimet kanë vazhduar edhe pas ngritjes së aktakuzës në mungesë ndaj 21 personave në dhjetor të vitit të kaluar dhe se gjatë gjashtë muajve të fundit janë siguruar prova të reja që kanë mundësuar identifikimin e të arrestuarve.

Sipas tij, identifikimi i të dyshuarve është bërë përmes videoincizimeve dhe provave të tjera të siguruara gjatë hetimit, përfshirë materiale të publikuara më herët nga mediat në Kosovë dhe Serbi.

Morina tha se hetimet nuk janë përqendruar vetëm te ekzekutuesit e krimit, por edhe te organizatorët dhe urdhërdhënësit e tij.

Gjykimi në mungesë, që Prokuroria Speciale kishte kërkuar për këtë rast pas ngritjes së aktakuzës, mundësohet në Kosovë pas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, të bëra më 2022.

Megjithatë, gjykime të tilla mund të bëhen vetëm me kushtin që prokuroria dhe gjykata t’i kenë shteruar të gjitha mjetet për të siguruar praninë e të akuzuarit.

Por, ky Kod përcakton se personat që gjykohen në mungesë kanë të drejtë për një rigjykim pa kushte, kur të arrestohen.

Kjo masakër shtyri NATO-n t’i niste bombardimet për t’i dhënë fund luftës së viteve 1998-’99 në Kosovë, dhe përfundimisht pavarësimit të vendit disa vite pas çlirimit.

Gjatë luftës në Kosovë, nga viti 1998 deri në 1999, u vranë mbi 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën.

Më shumë se 1.500 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur, pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

Qindra shqiptarë të vrarë nga Kosova janë gjetur në varreza masive në Serbi. Trupat e tyre janë bartur nga forcat serbe me qëllim që të fshihen krimet./REL

Top Channel