Pogradec, përkujtohen viktimat e komunizmit

12/11/2011 20:10

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli vizitoi qytetin e Pogradecit për të nderuar dy të rinjtë Mark Toci dhe Skënder Çela, të pushkatuar pa gjyq, në dhjetor të vitit 46 nga regjimi komunist.

Por edhe pas kërkimeve shumëvjeçare të aktorit të mirënjohur Mirush Kabashi, nip i Skënder Çelës, të gazetarit Fatos Baxhaku e autoriteteve vendore, eshtrat e dy të rinjve nuk janë gjetur ende.

“Të përkujtojmë Mark Tocin e Skënder Çelën, për veprën e tyre, sakrificën e tyre, një vepër që u ngrit dhe duhet të ishte sakrifica e jetës së tyre”, deklaroi Topalli.

Gjatë qëndrimit në Pogradec, zonja Topalli vizitoi një ekspozitë me piktura organizuar në bulevardin kryesor nga fëmijët, që përcollën mesazhin kundër dhunës në familje, kundër dhunës ndaj nënave dhe për më shumë dashuri mes prindërve.

Për të hetuar krimet e komunizmit, pak ditë më parë në Tiranë u promovua krijimi i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizimit. Një organizëm ky, i ngritur nga Kuvendi i Shqipërisë me propozim të qeverisë, pas rrëzimit të ligjit të lustracionit. 

E pranishme në këtë eveniment, kryetarja e Kuvendit u bëri apelin e saj institucioneve të ndryshme për bashkëpunim. Topalli e cilësoi këtë pjesë të historisë së shqiptarëve, ende fare pak e njohur, si pjesën më të zezë të saj.

“Më e zeza sepse është ajo pjesë ku shqiptari ia bëri shqiptarit. Nëse dikush ka për të dëshmuar dicka, duhet ta bëjë këtë sot, për këtë institut”, tha Topalli.

Top Channel